Lajm i mirë për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë: Pas rreth 34 viteve nga rikthimi i lirisë së besimit, kanë një xhami dinjitoze, siç e meriton komuniteti më i madh në Shqipëri! Nuk ka shumë rëndësi nëse është xhamia më e madhe në Ballkanin e madh apo në Ballkanin Përendimor por realisht, është e duhet të jetë një lajm i mirë për dhqiptarët e çdo besimi, kudo ku jetojnë ata, brenda apo jashtë Shqiptarisë.
Me mijëra persona, të paktën në rrjetet sociale, kanë përcjellë përshtypjet e tyre pozitive, urime e komente për këtë objekt madhështor kulti në kryeqytetin e shqiptarëve, ashtiu siç e kanë edhe besimet e tjera fetare. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe në fakt, sepse besimet fetare në Shqipëri, janë diamanti që na bën të shkelqejmë në Europë e botë.
Siç është normale deri diku, nuk kanë munguar as polemikat, të cilat në rastin e një eventi kaq të rëndësishëm e madhështor, nuk mund të mos klasifikohen “efekte anësore”, ndoshta me një rëndësi të limituar. Megjithatë, asgjë nuk lidhet dhe nuk duhet të nënkuptohet si e tillë me Xhaminë e madhe të Namazgjasë por më shumë me fenomenin “Erdogan” dhe raportin me Shqipërinë.
Në kuadrin e politikave shtetërore për zhvillimet ndërkombëtare, kryeministri Rama ia tregoi qqartë pozicionimet e Shqipërisë, madje të kundërta me ato të presidentit Erdogan. Për konfliktin Izrael- Hamas- Hezbollah, kreu i qeverisë shqiptare u paraqit në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara me aleatët.
Ndërkohë, nuk ka kaluar pa vëmendje mungesa e kreut të KMSH- së Bujar Spahiu në ceremoninë e përurimit të xhamisë së madhe të Namazgjasë. Justifikimi publik i numrit 2 të KMSH- së se “kemi patur ftesë për pjesëmarrje nga protokolli i qeverisë dhe kemi menduar të përfaqësohemi me myftiun e Tiranës në ceremoni” apo edhe vetë deklarata e myftiut të Tiranës se “kryetari i KMSH- së ka qenë jashtë vendit”, nuk mund të kapërdihen lehtësisht as nga më naivët, brenda e jashtë Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Administrimi i xhamisë, e cila ka kushtuar rreth 35 milion euro dhe është realizuar me investimet madhore nga Turqia, nga një fondacion i krijuar apo që duhet të krijohet, me anëtarë turq dhe shqiptarë- këta të fundit në shumicë, është një tjetër temë e diskutuar në studio televizive dhe rrjete sociale. Frika e shprehur publikisht, është ajo e daljes jashtë kontrollit të KMSH- së por nuk është “efekti anësor” më i rëndësishëm i eventit. Edhe komunitete të tjera, për arsye që ata i kanë menduar, kanë ngritur borde dhe fondacione të administrimit të objekteve apo institucioneve me sfond fetar.
Prej rreth 22 vitesh në pushtet si kryeministër dhe president i Turqisë, Erdogan nuk e ka fshehur pothuajse asnjëherë frymën neo- otomaniste që ka kërkuar të shpërndajë, sidomos në pjesën e Ballkanit, veçanërisht në disa shtete të tij, mes të cilëve edhe Shqipëria. Madje, shpesh herë vetë Erdogan, edhe nga media prestixhioze, është prezantuar si “sulltan”, reminishencë e identifikueshme me Perandorinë Osmane.
Në këtë linjë, një deklaratë e kreu të Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, kryemyftiu Ali Erbash, ndoshta është më e papranueshmja jo vetëm nga besimtarët myslimanë por të gjithë shqiptarët që e dëgjuan.
“Shumë dëshmorë i kanë larë këto toka me gjak! Zot, lartësoji shpirtrat e gjyshërve dhe dëshmorëve tanë që dhanë jetën për të sjellë Islamin këtu. Jepu lajm atyre për këtë gosti shpirtërore, për këtë hapje xhamie!”, tha në ceremoninë e përurimit të xhamisë së Namazgjasë ai.
Më së paku, ka cënuar kujtimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot- Skenderbeut, duke nënkuptuar se nga cila rrugë ka ardhur ky besim ndër shqiptarët, referuar sigurisht pushtimit osman 500- vjeçar të Arbëri- Shqipërisë. Nga ana tjetër, është një provokim edhe për vetë besimtarët myslimanë, të cilët me të drejtë, kundërshtojnë idenë e ardhjes ë islamit në Shqipëri përmes rrugës që perifrazoi në tre fjali Erbash.
Fatmirësisht, këto “efekte anësore”, nuk mund të zbehin absolutisht eventin kryesor, përurimin e Xhamisë së madhe të Namazgjasë. Por sigurisht, nuk mund të kalojnë pa u vënë re, pa u komentuar në opinionin publik dhe sigurisht, në shumë studio televizive. E sigurtë është se të gjithë do të harrohen, do të shuhen fizikisht me kalimin e viteve. Xhamia e madhe e Namazgjasë dhe besimi islam në Shqipëri, do të ekzistojë pafundësisht. /Shënim i ShkodraWeb/