Të shtunden u largue nga jeta Anton Benussi. Këto dy dite në Facebook kanë shkrue për te disa miq e shokë. Mëtakon dhe mue me i shkrue dy rreshta për miqësinë qe patëm. Ka gati nji vit që Antoni ka qenë sëmurë, me nji diagnozë nga ma të pabukurat. Flitshim çdo javë e e ka kalue me nji kurajo të admirueshme.
Jeta e Antonit deri në vitin 1990 ka qenë shumë e vështirë për arsye të luftës së kllasave që u bante në atë kohë. Kanë shkrue të tjerët dhe ai vetë për këto probleme. Unë do ndalem në disa historina të vogla që kemi kalue bashkë.
Në Shkodër u njifshim por nuk kishim folë kurrë bashkë. Rasti erdhi kur unë fillova punën si mësues në Malin e Jushit e ai shkonte e vinte me autobuzin e Lezhës. Lidhja jonë u forcue shumë kur ai filloi me ardhë në Padova te fëmijët e ku ma vonë u vendos përfundimisht. Ai sa herë që vinte në Venezia, vinte e më takonte në kishë ku punojsha dhe rrinte për drekë. Për mue ishte gëzim i vërtetë me takue nji shkodran që më binte të rejat nga qyteti im.
Në prillin e 1997- ës erdha në Shkodër për funeralin e nanës. Të dielën e parë si asht zakoni, Antoni erdhi me Marijen për ngushëllime. Mbas 4- 5 ditësh unë do kthehesha për Itali. Do më shoqnonte në Rinas Ferdinand Shllaku me makinën e tij. Dolëm nga shtëpia në orën 9 me shkue në varreza, nga Shkolla Pyjore e direkt për Rinas. Te Shkolla Pyjore, në anën tjetër të rrugës, shoh Antonin që po shkonte në drejtim të kundërt, nga varrezat.
I them Ferdinandit të ndalë makinën ta pershendes Antonin. Kam nji foto bash aty që na e bani Ferdinandi. Mbas fjalëve të rastit e pyes Antonin ku po shkon, ai:
-Ndër vorre.
Unë hapa sytë, para 4 ditesh e kisha pa në shtëpine timedhe e pyes:
-A të ka vdekë kush këto ditë?
-Jo, jo, por po shkoj me ndejë pak në qetësi, mos me ndigjue potere e krisma.
Kulmi i ironisë. Ishte prilli i 1997- ës, kur ai popull moralisht e materialisht ishte i shpartalluem. I vetmi vend i qetë, pa telashe, pa krisma, ishin vorret. Këtë vend ideal ngushëllimi kishte zgjedhe Antoni me ndejë. Me brengën e randë të nanës e të atij populli që për fat të keq të tijin, nuk pat kurrë udhëheqësa, mora përsëri rrugën e emigrantit.
Nji tjetër rast i bukur, qe takimi në Venezia. Ai hyni në kishë e unë isha i lirë mbasi mesha kishte mbarue. E pyeta se ku po shkon? Me tha në San Marko (shesh e kishk). Unë:
-A po kthen për drekë?
-Jo, jo, se nuk jam vetëm.
-Me kë je?
-Me Marijen, me Greta Kurtin dhe nji shoqe tjetër. Jena katër vetë.
-Punë e madhe, tesh nuk jena ma me talon mor Anton.
Ai qeshi shumë e unë e pyeta kush asht kjo shoqe.
-Asht vajza e nji mikut tim (me duket) Myfit Ulqini.
-Hajdeni të gjithë.
Lajmërova në telefon time shoqe, që për mikpritje ishte kampione. Ajo drekë kaloi me shumë gëzim. Mbas pak minutash, ime shoqe pyeti miken e ardhun se çfarë punonte. Ajo spjegoi se ishte në Padova për specializim ne kardiologji dhe se ishte e martueme me Edmond Xhabinë. Ime shoqe kërcei nga karriga e filloi me u përqafue me te. Miqtë e tjerë u harruen krejt. Ajo ishte e reja e Remzije Xhabisë, shoqja ma e ngushte e sime shoqe në klinikë dentare. Dreka kaloi vertetë si festë.
Para 6 vitesh shkova në Padova me e takue e me hangër drekë në shtepinë e tij. Sa ka qenë në Shkodër, ka ba vepra të mira dhe ka organizue mbledhje e forume për demokracinë e personazhe të jetës shkodrane. Nji ndër këto mbledhje përkujtimore kishte qenë dhe ajo për Ndok Pistullin. Unë kisha nji disk të atij rasti, që ma kishte falë vetë Antoni.
Mbas drekës, dolëm me ba nji xhiro nepër Padova e rastësisht ra muhabeti te kjo mbledhje përkujtimore. Ai më tregoi punën e madhe që kishte ba me njerëz etj. Tuj ecë u ndal nji moment, u soll nga unë e më tha:
-Tish, më ka ba përshtypje diçka. Disa ditç mbas mbledhjes, tuj ecë nëpër Shkodër më ndaloi nji burrë e më tha se shumë mire ke ba që ke organizue atë mbledhje. Si nuk je kujtue mor burrë i dheut me më lajmërue dhe mue. Unë e kam pasë shok klase e kam shkue shumë mirë me të. Ka qenë njeri i rradhë.
E pyeta Antonin:
-Kush ishte?
-Nuk ja di emnin por ishte i pashëm e i nji familjes së mirëe. Ti je kampion për kësi punësh.
-Mos ka qenë Gëzim Dani?
-Jo, jo, Gëzimin e kam njohtë.
Mendova moshatarët e tij, megjithëse nuk kam qenë në gjimnaz. Për me zvogëlue zonën e kontrollit, i them:
-A ishte nga familje katolike apo myslimane.
-Jo, myslimane.
-Ndoshta Surri Rrexhimi…
-Bravo, je i madh. Bash njaj vetë.
Mbas largimit të sime shoqe, shkova në Shkodër për punë dokumentash etj. Tuj u kthye prej noterit, më thërret Antoni, te kafja karshi shtëpisë së grues dikur. Ishin ulë katër persona: Antoni, Cin Jubani, Paulin Sopi dhe nji tjetër që nuk e njihsha. Antoni më ftoi për kafe, po unë nuk kisha kohë. Ai shtoi:
-Po këtë shokun a po e përshëndet?
Unë mbeta pak i habitun e shikova por nuk dijsha me i ra në të. Dojsha me e gjetë vetë emnin, me provue kujtesën. Dikur i tham të gjithëve:
-Më tregoni ndoj send të vogël pa më përmend emnin e tij. Antoni tha:
-Çile mamija… Unë menjiherë:
-Pajtim Meta.
Sepse te Çile mamija ka pas banue kjo vetë, i paharrueshmi nga Shkodra Dr. Karagjozi, familja e Murzak Karagjozit dhe Pajtim Meta. Djalë i pashëm e me shumë veti të mira. E ka akoma debulesën për Shkodër. U pamë mbas 55 vjetesh.
Hera e fundit që jam pa me Antonin ka qenë para tre vjetësh. Erdhi në Trieste me takue nji kushrinë të veten e erdhi për drekë te unë. Muhabetet tona ishin pa fund. Unë kam mësue shumë gjana prej tij. Qëndruem bashkë nja tri orë e mandej më tha:
-Tish po marr trenin e parë (zakonisht merrte të dytin), sepse atë ditë (ose natë) do luente Gjermani- Angli. Para dy vitesh filluen shenjat e mbrapshtisë etj., etj. Pushofsh në paqe Anton!
P.S. Fotoja e parë asht te Shkolla Pyjore, e dyta në Trieste para 5 vjetëesh në kafe “Specchi”. /