Kanë mbetur edhe 6 prokurorë dhe gjyqtarë, për ti dhënë fund procesit të vetting- ut në sistemin e drejtësisë. Në sitë kaluan 805 magjistratë, të cilët kishin detyrim kalimin e kësaj “prove” për të vijuar detyrën. Shifrat në fakt janë vertetë tragjike. Mbi 46% u nxorrën jashtë sistemit, duke treguar në një farë mënyre, mynxyrën me të cilën u përballën për gati 30 vjet shqiptarët në dyert e drejtësisë që vetëm e tillë nuk paska qenë.
Shifrat janë kokëforta, nga shkurti i 2018 deri më 11 tetor 2024, KPK:
-Ka konfirmuar në detyrë 368 prokurorë, gjyqtarë e ndihmës ligjorë
-Ka shkarkuar 267 prokurorë, gjyqtarë e ndihmës ligjorë
-Ka “vetëlarguar” me dorëheqje nga sistemi pa verifikim (nga frika e vetting- ut) 105 prokurorë, gjyqtarë e ndihmës ligjorë
-Ka dërguar në Shkollën e Magjistraturës 2 prokurorë
-Nuk ka dalë me vendim përfundimtar 57 prokurorë e gjyqtarë, të cilët kishin paqartësi nëse e mbanin ende statusin e magjistratit
Ndërsa në një farë mase, sistemi i drejtësisë po pastrohet, dëmet që iu shkaktuan qytetarëve dhe institucioneve gjatë mëse 30 viteve edhe nga të shkarkuarit për korrupsion, papastërtinë e figurës apo mungesën e profesionalizimit, nuk mund të zhbëhen më kurrë.
Pavarësisht se sistemi i vetting- ut kishte dy shkalla, KPK dhe KPA si dhe monitorohej nga ndërkombëtarët përmes ONM- së, përsëri ka patur pakënaqësi, rezerva por edhe rikthime në detyrë nga shkalla e dytë e tij. Sigurisht, shumë të pakta, ndërsa ka patur vendime në favor të të larguarve edhe nga gjykata ndërkombëtare. Shkurt, edhe ky proces ka patur dritëhijet e veta por në finale, ka një produkt dhe me gjasë, është një hap i rëndësishëm për pastrimin (deri diku) të sistemit të drejtësisë.