Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas informacionit të marrë nga Interpol Tirana, për një minoren nga Afganistani, që mbahej me forcë, në një servis në fshatin Berdicë e Mesme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Minoreni”.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur gjetja e minorenit, në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjithashtu:
-u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 18 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Mesme, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
-u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç (vëllai i 18-vjeçarit të arrestuar) banues në fshatin Bërdicë, për veprën penale “Trafikim i të miturve”;
-u proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. P., 31 vjeç dhe A. P., 57 vjeç (vëllai tjetër dhe babai i 18-vjeçarit të arrestuar), të dy banues në fshatin Berdicë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, si dhe për kapjen e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.