Si mësuese prej vitit 2001 nuk mund të rri heshtur pas publikimit te emisionit Fiks Fare per gjimnazin “Oso Kuka”. Punën dhe përkushtimin e drejtorisë dhe mësuesave të shkollës në shërbim te edukimit të nxënësve e njeh fort mirë çdo prind që na ka besuar fëmijën, e njeh çdo nxënës që ka qenë pjesë e shkollës, e njeh komuniteti përreth.
Media duhet të jetë një Zë i Fuqishëm për të qene krah punës sonë si mësues. Ndërkohë fatkeqësisht media vrapon të bëjë lajm pa pasë dijeni te plotë për ngjarjen dhe për më tepër nxjerr video me informacion të cunguar sipas qejfit
Gazetarë të Fiks Fare!
Sot keni bërë “lajm të bujshëm” për të gjithë njerëzit që nuk e njohin punën në gjimnazin “ Oso Kuka” por keni lënduar fort çdo nxënës, çdo prind që e njeh punën tonë. Unë si mësuese prej vitit 1995, që punon me pasion e përkushtim bashkë me kolegët e mi për të edukuar brezin e ri ju ftoj të reflektoni. Ne duam media që di të ruajë vlerat dhe ta kemi mbështetje në punën tonë fisnike
P.S. Në shkollat tona duhet urgjentisht të shtohet një lëndë e re, Edukimi Mediatik, për nxënësit dhe komunitetin.
“Jo çdo lajm është i vërtetë”
“Lajmi prodhohet për tu shitur”
Elisabet Thoman përcaktoi pesë konceptet bazë dhe pesë pyetjet bazë që janë ABC-ja e edukimit mediatik.
Pesë pyetjet bazë të edukimit mediatik
1. Kush e krijoi këtë mesazh?
2. Çfarë teknikash përdor për të tërhequr vëmendjen?
3. Si mundet që njerëz të ndryshëm të kuptojne mesazhin në mënyra të ndryshme?
4. Çfarë eksperiencash, vlerash dhe këndvështrimesh janë paraqitur në këtë mesazh?
5. Pse u ndërtua ky mesazh? /Nga Suela DRINI DURRAJ, mësuese e gjimnazit “Oso Kuka”, publikuar në Facebook/
ÇFARË PËRMBANTE KRONIKA NË EMISIONIN INVESTIGATIV
Tre nxënës të gjimnazit “Oso Kuka” në Shkodër janë përjashtuar nga shkolla me arsyetimin se hapën në Instagram një faqe me meme ku denigronin figurën e mësuesve dhe drejtoreshës së shkollës.
Dy prindër treguan për gazetarët e Fiksit se fëmijët e tyre u përjashtuan pa asnjë provë , me arsyetimin se ata hapën faqe memesh për stafin pedagogjik të gjimnazit “Oso Kuka “ në Shkodër.
Nora Skollaj tregon se vajza e saj maturante është përjashtuar me arsyetimin se ajo ka thënë për drejtoreshën se merr para, por nuk ka asnjë provë se këto postime i bëri vajza e saj.
“Në fillim na thanë se emrat i çoi policia, më vonë kuptuam se ishte vetëm presion, policia nuk solli asnjë emër dhe vajza u përjashtua padrejtësisht” thotë znj.Nora.
Ajo tregon se ka vajtur në shkollë, por drejtoresha i quan fëmijët kriminela pa asnjë fakt. Ndërkohë 3 maturantët sot qëndrojnë në shtëpi.
Babi i një tjetër maturanti, Ferit Rranxa, tregon se kurrë djali i tij nuk ka patur probleme në shkollë, por është nxënës i mirë dhe me sjellje shumë të mirë. “Tani drejtoresha na i bëri fëmijët kriminela kot, s’kanë asnjë faj” thotë z.Ferit.
Prindërit të cilëve drejtoresha u tha se hetoi policia dhe nga aty dolën emrat shkuan në polici dhe prokurori për t’u interesuar për çështjen, por këto institucione nuk kishin dijeni për situatën dhe rastin.
Emisioni Fiks Fare solli një audio inçizim , në të cilin drejtoresha akuzon fëmijët se e kanë prek në familje dhe kanë bërë postime sikur ajo merr para. “Ju do përjashtoheni, ju e keni bërë, ju më keni prekur familjen dhe jeni kriminela “ dëgjohet të thotë drejtoresha.
Ndërkohë për vajzën e përjashtuar, thotë se ajo është llafazane, rrenacake dhe pise.
Gazetarët e Fiksit shkuan në shkollë të merrnin një përgjigje nga drejtoresha , nëse ka fakte se faqja në instagram u hap pikërisht nga këta fëmijë dhe kush i dokumentoi ato.
Por drejtoresha nuk u ndalua për gazetarët, ajo i dha biçikletës me shpejtësi dhe u largua.
Ndërkohë që për emsiionin investigative është përgjigjur Drejtoria Arsimore Rajonale Lezhë e cila thotë se ka marrë dijeni për rastin nga prindërit e fëmijëve të përjashtuar, se ky është një vendim i shkollës dhe nuk ka dijeni që çështja të jetë as në polici dhe as në prokurori. /TCH/