Gjuhadoli, në qendër të qytetit të Shkodrës një ndër lagjet me të gjalla të qytetit të Shkodrës, ku shumica banesave private tashmë janë kthyer në biznese si, hotele, bare, dyqane, për ti shërbyer turizmit dhe jetës së natës. Si lindi kjo lagje?
Sipas studiuesit Willy Kamsi mikrotoponimi vjen prej Gluho dol ─ përrua i shurdhët, mbetje kjo me prejardhje sllave. Emri del për herë të parë në dokumentet e shkruara në vitin 1371 në disa trajta si Gluchidol, më 1446 Glucodol, Cluchidol.
Sipas të dhënave historike të Gjush Sheldisë, kjo zonë përmendet si një fushë pjellore. Më 1610 Regesti i Venedikut shkruan se kur kërkohej për tu dhënë meshë në Rrëmaj, përshkohej nëpër fushën pjellore të Gjuhadolit (“Passava per la fertile compagna di Glucadoli”).
Me kalimin e viteve, duket se nga fushë pjellore, Gjuhadoli kthehet në një lagje të qytetit të Shkodrës duke u ndërtuar shtëpitë e para në fillim të shek.XIX
Sipas Gj. Sheldisë mësojmë se në mesin e shek.XIX Gjuhadoli merr formën e një lagjeje, madje duke u shënuar ndër të rejat e qytetit, përveç atyre që ndodheshin rreth Kalasë. Me zhvendosjen e qytetit në këtë periudhë më në fushë, aty ku ndodhet dhe sot, Gjuhadoli pak nga pak pas viteve 20 u kthy në lagje të rëndësishme ku dyqanet e tij konkuronin me Pazarin e qytetit. /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook të DRTK Shkodër/