Prej rreth një muaji, stadiumi “Loro Boriçi” ka patur dyert e mbyllura për Vllazninë por edhe ekipe të tjera, qoftë edhe kombëtare të futbollit. Siç ishte njoftuar, kjo periudhë ishte e nevojshme për ndryshimin e tapetit të gjelbër, një procedurë që kryhet periodikisht.
Këtë të premte, “Loro Boriçi” do të rikthehet përsëri funksional. Kombëtarja e femrave, e drejtuar nga Armir Grima, do të zhvillojë ndeshje zyrtare me Norvegjinë. Siç shihet edhe nga video e shpërndarë nga kryebashkiaku Benet Beci, në rrjetet sociale, gjendja e tapetit të gjelbër është optimale. Ndërkohë, është kryer edhe një procedurë mëse e nevojshme për stolat e stadiumit.
“Prej ditësh Drejtoria e Menaxhimit të Objekteve Publike e Bashkisë Shkodër po punon për të bërë gati stadiumin “Loro Boriçi” në prag të ndeshjes së ekipit të femrave të kombëtares. Impianti sportiv është gati për të premten në orën 16:00. Ju ftojmë të gjithë të mbështesim vajzat e kombëtares shqiptare në përballjen me ekipin e Norvegjisë.”, shkruan Beci në rrjetet sociale.
Tapeti i gjelbër, do të ketë një provë të rëndësishme rezistence dhe cilësie. Pas Kombëtares së femrave, në “Loro Boriçi” do të luajë edhe Vllaznia, në një ndeshje të rëndësishme me Partizanin, pasditen e të shtunës.