Pas një bashkëjetese 22- vjeçare mes sfidash dhe arritjesh faqebardha, intelektuali, publicisti, studiuesi dhe poeti Luigj Shyti u nda një herë e përgjithmonë nga gazeta që themeloi me kolegët dhe bashkëluftëtarët që e morën Dukagjineshën e vogël dhe ngritën në majat më larta të jetës kulturore shpirtërore të Leknisë.
Gazeta që e bëri Luigjin të qajë nga gëzimi kur hodhi hapin, prej kohësh qëndron vetmitare në ish- kryeqytetin e fletoreve më të para e më të zëshme publicistikës shqiptare. Syndritura jonë e lume, sot është veshur në një vello zie, me qepalla të rënduara nga lotët çurkë që i rrodhi ndër qerpikë për humbje e kumtuesit, reporterit, ish- kryeredaktorit dhe njeriut që e ushqeu më bujari e dhembshuri si babai bijën e vet.
Maja e Arapit njehi e mbështjellë me një shami të mugtë mjegulle. E vrenjtur që herët në mëngjes, qiti zanin lagje më lagje të Thethit tue thanë: “Ka vdekë Luigj Shyti e hy sot në dhè moreee!”. Shkolla ku more mësimet e para, mësove e drejtove disa vite, në shenjë zije, uli qepenat e derës dhe dritareve.
Gjenerata të tëra nxënësish, kolegësh, miq, shokë, prindër ku punove gjithandej për 45 vjet, vdekja jote i ka prekur në zemër. Jo për kortezi, por me bindje të plotë, këtu pranë arkivolit por edhe atje larg e larg në shtete e kontinente ku i çuar jeta, ngushëueshëm të kujtuan me mall, e thanë: “Pushosh në amëshim mësuesi, drejtori, kolegu, dhe njeriu i mirë Luigj Shyti.”.
Sot Thethi humbi një vëlla të hijshëm e prezentabël si vetë bjeshka që e lindi dhe rriti. Sot At’ Danjel Gjeçaj ka me të prit e me të bekue për dritën dijes që përçove ndër breza, për fidanët që ushqeve e punët e mira shoqërore që bëre. Zëri i ti elekuent ka me të thanë: “Të lumtë dora që penën time nuk e le të mjerë por e mbajte me nder duke e çuar më tej shtigjeve të pashkelura në punën që pata fillue unë”.
Sot Shala humbi penën më të afirmuar aktuale, njeriun me pasionin e zellshëm të studiuesit, etnografit, letrarit, fotografit, polemistit dhe aktivistit të gjithanshëm. Shoqata Atdhetare “Dukagjini”, humbi një kolonë me kapitel të mermertë. Luigj Shyti ishte jo vetëm sekretari për dy dekada i kësaj shoqate tashmë historike por një nga aktivistët më këmbëngulës në realizimin misionit të saj.
Shoqata “Dukagjini” u formua si një bashkësi njerëzish me vlera të thekëta atdhetare por ajo nuk mund të rritej të afirmohej dhe zinte kreun e vendit pa një bërthamë intelektuale, pa një grup dorëdhënësish bujarë dhe pa një imunitet të fortë të mbrojtjes nga politika ç’burrëruese, partikulacioni i sëmurë fisnor, egoizmat dhe individualizmi i sëmurë.
Luigj Shyti do të kujtohet si bujk i mirë e aktivist i shquar social, përfaqësues dinjitoz në sa e sa tryeza të ndryshme dhe në shumë seminare të organizuara anëkend. Asnjëherë nuk ngurroi të japë opinionin e tij, mendimin e tij, sigurisht bazuar në logjikë dhe argumente. Luigj Shyti qe një “mesfushorë libero” në shtegtimin e shoqatës atdhetare.
Pa kulturë dhe dinjitet kjo shoqatë nuk mund të zinte vend në qytetin ku kultura është jetë. Me kulturë dhe guxim intelektual, kjo shoqatë, të cilën Luigji e kishte në krahun nga zemra, shkapërceu hendeqet e fanatizmit të vjetër, paragjykimet që vinin nga si dhe armiqësitë e mbjella e lënë pas nga të huaj dhe ushqyer nga politika që gjithkund futi hundët e bëri pis por jo, as Shoqatën “Dukagjini”, as Luigj Shytin.
Pa editorialet, reportazhet, shkrimet historike, etnografike dhe temat më të mprehta sociale të Luigj Shytit, gazeta e Dukagjinit do ishte një çati që do i mungonin shumë tjegulla. Bibliografia dukagjinase pa botime disa vëllimshme të Luigj Shytit, do kishte një grabë të paplotësuar. Libri publicistik dhe mendimi social politik dukagjinas, pa botim e “Dukagjini ka vend për të gjithë”, do ishte si një ndërtesë pa dritare “Dukagjini rrugëtim në gjenezë”, është ndoshta libri më i rëndësishëm i jetës intensive e krijuese te autorit, për tatën tonë të vjetër historik.
Si gjella pa kripë do ishin studimet etnografike të derisotme të kësaj treve pa botimin prestigjioz “Syzime etnografike”. Sesioni shkencor dhe botimi voluminoz “Historiku i Arsimit dhe i Kulturës në Dukagjin”ka brenda idenë, projektin, zbatimin dhe vulën e mësuesit dhe drejtorit shembullor të arsimit Luigj Shyti.
I përkëdhelur nga muzat belstolisura e shtatharlisura, Luigj Shyti i fali poezisë lirike disa melodi e refrene veguese bjeshke ku shkëlqen vëllimi mjaltorë “Moj e mira në ortek të borës”. Sëmundja nuk e ndali të botonte romanin e fundit “Diella”, vepër të cilën fatkeqësisht duhet ta promovojmë por pa praninë e autorit .
Luigj Shyti i përket asaj kategorie krijuesish impozant me kontribute të gjithanshme por që zgjedh të punojë pa zhurmë, pa bujë, pa autolevdata. Luigj Shyti fiksoi dhe stampoi me objektivin e tij profesional, mijëra foto të të gjitha zhanreve të fotografisë. Vetëm disa kampion të pasurisë së tij arkivore janë publikuar në ekspozitën “Peneli Dukagjinas”, disa kanë ilustruar faqet e “Dukagjinit” dhe rrjete sociale.
Vdekja i gjeti pretekst dhe e shytoi kur dukej si lis i shëndetshëm. Luigji kishte ende projekte në fushën studimore, publicistikë, prozë etj. Luigj Shytin e kam njohur vetëm vizualisht, përpara se të na bashkonte shoqata “Dukagjini”. Aty lindi një miqësi e pashlyer, pa kurrfarë interesi, vetëm mbi baza të idealizmit dhe vullnetarizmit idealist. Kryesia e shoqatës sonë, shpesh është shigjetuar politikisht, krahinarishit dhe mbi të gjitha xhelozisht, por asnjëherë nuk u gjet një çarë mes nesh.
Edhe kemi debatuar por kurrë nuk pati ngritje imponuese zëri. Kurrë nuk pati “ulu ti se nuk di gjë, këtu bëhet si të them unë!”. Kurrë nuk i tha kush shoqit “po rren” as nuk u ndamë pa folë me njeri- tjetrin. Luigj Shyti ishte pikë e fortë e kësaj harmonie shumë civile. Ai qe një dëgjues i durueshëm, me çdo kategori dhe çdo moshë por edhe debatues me pjekuri e maturi të rrallë.
Luigj Shyti ishte promovues shembullor i kujtesës historike, kulturore të Dukagjinit. Qe shumë aktiv në punën për ndërtimin e busteve të fatosit të lirisë Mehmet Shendi e albanologut Martin Camaj. Iku me një zhgënjim nga vonesa e stërzgjatur për vendosjen e bustit të realizuar të Lekë Dukagjinit. Luigj Shyti foli me zë të lartë e shkroi qindra e qindra faqe për Dukagjinin. Ai po ikën sot i heshtur dhe i vlerësuar nga opinioni i gjërë publik.
Ndërsa institucionalisht, as Komuna Shalë, as nga asnjë Njësi Administrative e Dukagjinit, as nga Bashkia, as Këshilli i Qarkut nuk u fol, as nuk mori asnjë vlerësim sa ishte gjallë: Luigj Shyti e përmbushi më së miri detyrën ndaj familjes, miqve, shokëve, komunitetit ku jetoi, Shkodrës, Veriut e Shqipërisë!
Luigj Shyti në fushën e arsimit, kulturës, studimit dhe krijimtarisë, ka bërë më shumë se 98 % të atij eposi që sot këndohet vend e pa vend për komerc dhe duartrokitet në mënyrë butaforike, duke marr miliona klikime nën efektin e alkoolit dhe paditurisë. I sugjeroj Kryesisë së Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” që t’i propozojë Këshillit të Bashkisë Shkodër si dhe të ndiqet me përparësi vlerësimi i merituar dhe i vonuar që meriton të marrë Luigj Shyti, tashmë pas vdekjes.
Pushofsh në paqe miku, shoku dhe bashkëpunëtori im dhe i shoqatës “Dukagjini”, Luigj Shyti! Ngushëllime familjarëve! Familja, Thethi, Shala, Dukagjini dhe Shkodra duhet të të jenë mirënjohës! Pushofsh në amëshim! /Nga Prelë MILANI, publikuar në Facebook/