Vëlla e motër, Jovan dhe Milanka Madzgalj, rreth 55-vjeç, u vranë mbrëmjen e së premtes në fshatin Sokolac në Bijelo Polje. Autori i dyshuar i krimit është 62-vjeçari Alija Balijagiç, me precedentë të shumë penalë, përfshirë përdhunim.
Trupat e viktimave janë gjetur në shtëpinë e tyre, ndërsa sipas deklaratës së Drejtorisë Policore të Malit të Zi, vrasësi është ende në arrati.
Siç shkruan RTCG, policia ishte vënë në ndjekje të të dyshuarit, i cili ishte prej 15 ditësh në kërkim pasi kishte vjedhur një pushkë.
Ndërsa mësohet se në vitin 2016, autori i dyshuar i krimit Balijagiç ishte dënuar për përdhunim. Ai u dënua në Gjykatën e Lartë të Bijelo Polje me 7 vjet burg, pasi përdhunoi një grua 76-vjeçare më 30 tetor 2015, në një vendbanim periferik në Bijelo Polje.
“Nuk ka asnjë gjurmë të ADN-së sime”, pohoi ai gjatë gjyqit. Në aktakuzë thuhet se më 30 tetor 2015, rreth orës 19:00, në Ljeshnicë, ai ka sulmuar 76-vjeçaren duke përdorur forcën dhe duke e kërcënuar me vdekje.
“Kur gruaja ka rezistuar dhe e ka goditur me grusht në fytyrë, me elektrik dore dhe më pas e ka kërcënuar t’i hiqte rrobat përndryshe do ta vriste. Duke dalë nga shtëpia i ka nxjerrë një thikë dhe e ka kërcënuar: “Mos i thuaj askujt, mos e denonco, nëse nuk e bën, nuk do të vij më tek ti, dhe po të tregosh, do të vij të të ther në mes të shtëpisë” , thuhet në aktgjykim.
Sipas portalit PV, në nëntor të vitit 2015, gjatë një grabitjeje, Balijagiç ka marrë një armë nga një prej shtëpive në fshat derisa pronarët ishin duke fjetur dhe dyshohet se ka kryer disa vjedhje në Banji Selo, Oklad dhe Pavino Polje. Në një rast ai ka qëlluar edhe në drejtim të policisë, ndërsa është mbrojtur duke thënë se ka qëlluar aksidentalisht nga një pushkë teksa po i afroheshin.
Balijagiçi njihet si bandit për shkak të plaçkitjeve dhe vjedhjeve që ka kryer, ndërsa ka kaluar rreth dy dekada në burg.
Në fund të viteve tetëdhjetë dyshohej për disa vjedhje në fshatrat përreth. Në maj të vitit 2015, ai u rrah nga tre fqinj, duke i shkaktuar plagë të rënda. Balijagiç më pas pohoi se vëllezërit dhe motrat e tij, të cilët jetojnë jashtë, e ndihmojnë financiarisht dhe se ai dëshiron të bëjë një jetë të qetë dhe të ndershme, edhe pse ndihet i refuzuar nga shoqëria.