Dosja që ish-Sigurimi i Shtetit ka krijuar për shkrimtarin Martin Camaj, mund të jetë manipuluar. Në këtë përfundim arrin një grup pune i ngritur nga Autoriteti i Dosjeve për të verifikuar firmën e shkrimtarit.
Firma e shkrimtarit Martin Camaj në dokumentin ku pretendohet se ai pranon të bëhet bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, mund të jetë e manipuluar. Në këtë përfundim duket se arrin grupi i punës i ngritur nga Autoriteti i Dosjeve, i cili ka bashkuar ekspertë të policisë shkencore, kaligrafisë dhe ish-Stasit gjerman. Për “News 24”, kreu i grupit të punës, sqaroi se hetimi administrativ është ende në proces.
“Ka dyshime serioze për firmën e tij, sepse kjo firmë e tij, ndryshon katërcipërisht me firmat e tij që gjenden në arkivën e bashkëshortes së tij dhe në arkivën e Mynihut ku ai ka punuar”. Pak vite më parë, publikimi i disa pjesëve të dosjes së tij, e etiketoi atë si bashkëpunëtor të Sigurimit famëkeq, edhe pse, fill pas dokumentit ku pretendohej se pranoi të bëhej bashkëpunëtor, ai u arratis nga Shqipëria dhe dokumentet e dosjes së tij, tregojnë në fakt si përndiqej Camaj në Gjermani.
Një hetim administrative nisi asokohe: “Për të verifikuar disa elemente që ne dyshojmë realisht se kjo dosje i ka të falsifikuara në vetvete”, tha Albert Nikolla, anëtar i Autoritetit të Dosjeve.
Shkrimtar e albanolog, Martin Camaj u arratis nga Shqipëria gjatë diktaturës dhe pas qëndrimit në ishJugosllavi e Itali u vendos në Gjermani prej ku shkroi disa vepra e studime që në Shqipëri erdhën vetëm pas rënies së regjimit.