Ngjarjet e ditës së djeshme në Shkodër, bilancet tragjike për jetët njerëzore gjithnjë e më të rënda dhe të shpeshta, me vrasje dhe plagosje në gjithë vendin, po tregojnë se sa e rëndë është situata e kriminalitetit në Shqipëri.
Shteti nuk funksionon më, ai është totalisht i kapur nga krimi, i cili bën masakra në rrugët e sheshet e Shqipërisë, duke i marrë jetën qytetarëve, duke krijuar një situatë pasigurie, ankthi deri në terror.
Situata e rendit në Shqipëri, tregon se ky shtet nuk garanton dot më asgjë, por kryesore tregon sa e paaftë është kjo qeveri për të garantuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë.
NUK KA GARANCI:
Nëse do të na vrasin, na sulmojnë ose që mund të grabitemi në rrugë, në shtëpi, në dyqan, kudo.
Në sigurinë në shkolla, ku droga shpërndahet edhe te fëmijët e vegjël, por qeveria i mbulon të gjitha rastet.
Në sigurinë rrugore, ku humbasin jetën qindra qytetarë në aksidente rrugore. 1689 të aksidentuar që nga fillimi i këtij viti , nga të cilët 114 të vdekur, janë këmbana të forta alarmi për Shqipërinë e shqiptarët.
NUK KA GARANCI:
Për fëmijët, që punojnë në minierat e kromit, në sektorin e ndërtimit, në mbledhjen dhe seleksionimin e mbeturinave, për ata, që lypin në rrugë.
Për shëndetin, për ushqimet që hamë, e barnat e pakontrolluara.
Për pasigurinë tek fermerët në kultivimin e tokës nga frika e përmbyjeve të pazhdëmtura në vite.
Kjo është politika e shpopullimit të Shqipërisë, që po ndiqet nga qeveritarët e korruptuar, të kapur dhe të lidhur me botën e krimit. Shqiptarët po emigrojnë rrugëve të botës, duke ikë nga propaganda boshe, nga mungesa e sigurisë, nga korrupsioni i lartë, për sa kohë ekonomia nuk rritet dhe mungojne shërbimet bazë.
Ndryshimet e shpeshta ligjore fiskale, për favorizim të një grupi klientësh të qeverisë, kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për bizneset, duke nxitë emigrimin ne masë te shtresës së mesme, të rinisë, që nuk sheh asnjë perspektivë në këtë vend.
Një thirrje për të gjithë shqiptarët, që kanë zgjedhë të jetojnë në Shqipëri, të rrisin këtu fëmijët e tyre, por edhe për ata që janë në emigracion:
Të ndërgjësohemi gjithë bashkë, të heqim DREDHËN E DJALLIT, që e ka mbështjellë Shqipërinë, të reagojmë sot, fort, me vendosmëri, që bijtë e bijat e familjeve tona, të ndërtojnë të ardhmen në vendin e lindjes, në rrugën e vërtetë drejt Bashkimit Europian! /Nga Emilia KOLIQI, deputete e Shkodrës, publikuar në Facebook/