Shkodra, po mbyll 24 orë e topitur, gati e pazë, thuajse e fikur. Si qytet por edhe si qark e rajon. Ngjarje tragjike, të rënda, si ajo e pasdites së të merkurës, krijojnë këtë atmosferë. Fatkeqësisht, kryetemë është pikërisht ngjarja e djeshme. Komentet nga ambjentet e shtëpive, shtrihen në lokale, në rrugë, kudo. Ka keqardhje për jetët e humbura, të plagosurit që luftuan apo luftojnë me vdekjen për të qendruar mes të gjallëve.
Mediat, të gjitha pa përjashtim, kthehen në megafonë, duke rikthyer në vemendje detaje edhe jo shumë të rëndësishme, gërmojnë deri në skaje të paimagjinueshme. E kështu, Shkodra ime, Shkodra jonë, Shkodra e shqiptarisë, kthehet në kryefjalë e së keqes, pajetueshmërisë, për të krijuar e çuar përpara familje. Pakkush mbase e thotë, por edhe kjo atmosferë ndikon që qytetarët ta braktisin Shkodrën, ikin jashtë vendit por edhe në drejtim të Tiranës.
E Shkodra jonë, krahasohet me Palermon, me Siçilinë e qytete të tjera, simbole të vendeve ku mafia bën ligjin, edhe përballë shtetit. Ankthi rritet, sidomos për ata që kanë hedhur rrënjë në këtë qytet, veçanërisht tek ata, që edhe nëse kanë dëshirë, nuk kanë mundësi të shkëputen fizikisht nga kye realitet. Pasiguria për jetën, për të dalë lirshëm dhe në çdo orar në qytetin ku je lindur e rritur, është piskama e shpirtit të një qyteti, që jo rrallë herë, po lëkundet në djepin e fatkeqësive individuale që kthehen në gjëma psikologjike për shumicën e banorëve.
Shkodra, nuk është qyteti më i preferuar për të ndërtuar jetën. Pavarësisht rritjes katastrofike të çmimeve, edhe të qirave dhe shitblerjes së banesave, të gjithë e dinë se Shkodra nuk është zgjedhja e parë, as për ata që u lindën e u rritën me breza në këtë realitet. Shkurt e shqip, Shkodra më shumë po kthehet në një feud të të fortëve se një qytet/rajon normal për të jetuar në të. Sigurisht, ka qeverisje në të gjitha nivelet, por impakti i saj në jetët e shkodranëve, është minimal.
Ata që mbase e kanë harruar apo nuk e kuptojnë, Shkodra nuk janë vetëm rrugët, ndërtesat, urat apo edhe kalaja Rozafa. Fillimisht, Shkodra është e duhet të jetë ajri, fryma që e thithim të gjithë, edhe kur jemi në gjumë. E pikërisht, kjo frymë po bëhet përditë më pak e frymueshme nga të gjithë ne, kjo frymë po kthehet gati- gati në intoksikuese, si një epidemi e pandalshme, e ngjashme me Covi-19 por prej së cilës nuk mund të mbrohesh as me maskë e as me vaksinë.
Ky është thjesht një reflektim modest, i një individi që ka lindur, jetuar që jeton sot e mendon të mbyllë sytë në këtë qytet nesër. Besoj edhe reflektim i mijëra të tjerëve, të cilët e duan Shkodrën në formën e saj më të thjeshtë: Të jetueshme! Me halle, me probleme, me telashe, me përditshmërinë që edhe në formën e luftës për të mbijetuar, të jep një motiv gjithsesi. Askush nuk preferon që të hapë sytë në një qytet, me frikën se mund ti mbyllë përgjithmonë në vaktin e darkës për fajin e vetëm se u gjet në vendin dhe momentin e gabuar. Pavarësisht se gjithnjë në qytetin e vet! /Nga Blerti DELIJA/