“Solidaritet me Shkodrën dhe shkodranët”, kështu është shprehur kryetari i PD- së Sali Berisha në një konferencë për mediat pas ngjarjes së rëndë në Dobraç të Shkodrës pasditen e të merkurës.
Ai ka njoftuar se “mosbindja civile” që duhej të ishte në Tiranë, të shtunën në orën 12.00 do të jetë në Shkodër, në solidaritet me këtë qytet dhe me shkodranët, të cilët ai i ka ftuar ti bashkohen protestës.
SALI BERISHA: Mirëdita dhe përshëndetje mediave të pranishëm në këtë takim, dhe të gjithë atyre që ndjekin këtë konferencë të jashtëzakonshme timen me median.
Thirra sot këtë konferencë të jashtëzakonshme për shkak të masakrës që ndodhi dje në Shkodër, në të cilën në këtë qytet të bekuar, qytet, paqeje, pune, atdhetarie, jete e gëzimi.
Tre qytetarë u ekzekutuan dhe një i katërt lufton me vdekjen në shtratin e reanimacionit në spital. Shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Basha, për tragjedinë që u ndodhi dje, familjes Bushati dhe familjes Lici.
Theksoi se asnjëri nga ana që humbën jetën, nuk rezulton të ketë patur gjer sot asnjë problem me drejtësinë, në veçanti çifti Basha që u gjet rastësisht në vendin e pritës, tek kthehej nga puna në fermën e tyre të vogël, me të cilën mbanin fëmijët.
Masakra e djeshme është vazhdim i një serie aktesh terroriste, atentatesh të ndodhura muajt e fundit në Shkodër, të fshehura nga policia e Shkodrës, apo të injoruara totalisht në gjetjen dhe arrestimin e atentatorëve.
Masakra e djeshme e bandës qeveritare në Shkodër, pra vjen pas asaj të korrikut në të cilën u plagosën 3 të rinj, dy prej të cilëve u shtruan në spital, por u fsheh si ngjarje.
Vjen pas asaj të shtatorit që Shkodra e di mirë se kush është atentatori, por policia nuk mori mundimin qoftë ti bëje dhe një pyetje të vetme.
Kjo masakër vjen pasi i ndjeri, i riu Arlind Bushati, tre javë më parë u përball me atentatorë të cilëve nuk u shkrehu revolveri që i drejtuan dhe me të drejtë, si çdo qytetar tjetër i riu Arlind Bushati iu drejtua policisë, por meqenëse i ati ishte opozitar, i kampit armik të Edi Ramës dhe bandës së tij në Shkodër, nuk u mor asnjë masë për të identifikuar atentatorët.