-Nëse doni të mësoni të vërtetën 33- vjeçare të “mitrës kriminale” që ka rraskapitur Shkodrën, ndryshe heshtni dhe së paku mos e favorizoni krimin-
Ngjarja tragjike e pasdites së 30 tetorit në Shkodër, ku u vranë dy persona dhe humbi jetën si pasojë e këtij krimi edhe një qytetare që nuk kishte asnjë lidhje me protagonistët e kësaj ngjarje, riktheu në vemendje të opinionit publik, medias dhe politikës situatën kriminale në Shkodër. Komente nga më të ndryshmet, akuza e kundërakuza, analiza korrekte por që kalojne pa u ndjerë, deformime me shumicë të shkaqeve të vërteta të kriminalitetit në Shkodër e tjerë e tjerë. Përfundimi: i gjithë faji i hidhet policisë, sa arrihet deri aty që të deklarohet në studiot televizive, pa pikë përgjegjësie, se policia në Qarkun e Shkodrës është inekzistente!
Për këtë deklaratë të papërgjegjeshme, e shoh me vend të kujtoj të ndalem duke sjellë disa fakte. Policia në Qarkun e Shkodrës në më pak se dy vite ka asgjësuar një sasi lënde narkotike kanabis sativa, e cila në tregun ndërkombetar të drogave arrin në rreth 400 milion EURO! Kjo shifër jo imja, se nuk kam mundësi të bëj përllogaritje të tilla, por e deklaruar kohë më parë pikerisht nga ata ekspertë që dalin sot në studiot televizive e deklarojnë se policia e Shkodrës është inekzistente! Tani se si mund të quhet inekzistent një formacion policor me 600 punonjës policie, oficër e drejtues, sa ç’ është në të vërtetë efektivi i Policisë së Qarkut të Shkodrës, këtë vetëm nga studio televizive të Tiranës e dëgjon, pasi nuk besoj se në botë do të merrte kush guximin ta bënte një deklarim të tillë!
Trafiku i drogës ka vite dhe vazhdon të jetë në krye të trafiqeve të Botës, e për pasojë edhe ngjarjet më të shumta kriminale me larje hesapesh, nga ky trafik burojnë! Në Shkodër janë të evidentuar 9 raste kur punonjësve të policisë dhe oficerëve të saj, që janë marrë me operacionet antikanbis, u kanë vënë tritol në hyrje të banesave, në automjete apo djegien e tyre, ndërsa në një rast kanë plagosur edhe një orficër të policisë! Atëherë, si mund të quhet inekzistent një formacion i tillë policie, që u ka shkatërruar trafikantëve të drogës në territorin e Qarkut të Shkodrës burimin kriminal të të ardhurave prej rreth 400 milion EURO! Ose vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti janar – tetor, policia u ka asgjësuar trafikantëve në Qarkun e Shkodrës rreth 350 mijë bimë narkotike, në ngastra, sera, tunele, magazina e tjerë.
Përballë këtyre fakteve, a jeni në vete kur bëni deklarata të tilla se policia është inekzistente, apo jo ?! Fakti që në krye të Drejtorise së Policise së Qarkut të Shkodrës, prej më shume se një viti është një oficer karriere që quhet Edmond Sula, i cili qëndron larg mediave, nuk pëlqen të mburret as të rrahin gjoksin, por drejton me shumë qetësi policine dhe në asnjë rast nuk ka deklaruar se është kërcënuar, kur në të vërtetë nuk kanë munguar kërcënimet as ndaj tij, kjo nuk do të thotë se policia e Qarkut të Shkodres është inekzistente!
A ka nevojë të verifikohet më shumë aktiviteti i punonjësve të policisë dhe drejtuesve të tyre, patjeter që ka nevojë pasi askush nuk mund të sigurojë se nuk ka individë në radhet e saj të lidhur me krimin. A ka nevojë të fuqizohet dhe të mbeshtetet më shume edhe me logjistikë e mjete të tjera, për ta bërë më efektive luftën kundër krimit, patjetër që ka shumë nevojë ! A ka nevojë që të punohet për të rritur besimin brenda radhëve të saj dhe në raport me drejtuesit e strukturave, patjetër që ka shumë nevojë! A ka nevojë për të rritur forcën e kontrollit drejtues ndaj aktivitetit të sherbimeve të policisë në terren dhe marrëdhëniet me personelin e brendshëm të komisariateve e Drejtorisë së Policisë, patjetër që ka shume nevoje! A ka nevojë që të ndryshojë metoda e punës së sherbimeve të policisë në terren, për të qenë me operative në veprim e në ballafaqim të hapur publikisht dhe e vendosur fuqishëm përballë “kapove”, të inkriminuarve, makinave me xhama të zinj apo pa targa, patjetër që ka shumë, shumë nevojë! E të tjera, e të tjera, ka jo pak gjëra të ndryshojnë jo vetëm policia e Qarkut të Shkodrës por edhe e qarqeve të tjera!
Vërtetë e rëndë, shumë e rëndë ngjarja tragjike e pasdites së 30 tetorit në Shkodër me 3 viktima dhe një të plagosur por ama ka edhe një fakt që nuk mund të anashkalohet që, në krahasim me qytetet e tjera kryesore të vendit, Shkodra ka numrin më të ulet të vrasjeve! 5 vrasje kanë ndodhur në këto 10 muaj në Shkoder dhe një viktimë si pasojë e këtyre rasteve! Ata analistë që po e krahasojnë Shkodrën me Palermon, të na tregojnë pak sa vrasje kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë…dhe ti ballafaqojnë me Shkodrën! Natyrisht që krahasimet për raste të tilla nuk përmenden aspak për tu mburrur, pasi edhe një vrasje është e shumë e rëndë, por ama as nuk mund të anashkalohen dhe të vendosen për një qytet gjithfarë epitetesh të pamerituara – dëmtuese të imazhit të tij! Kaq sa i përket policisë se Shkodrës.
Tani nëse kanë merak që të dinë shkaqet, kriminalitetit në Shkodër dhe protagonistët e kësaj historie të përgjakur me qindra e qindra viktima, le të hapet Dosja Kriminale e Shkodres që nga viti 1992 ose 1991 po të doni dhe deri sot, e do të mësoni se si në dritën e diellit për “mitrën kriminale” që e ka rraskapitur Shkodrën! Kjo dosje do të ndihmojë për të përcaktuar qartë për “mitrën kriminale” të Shkodrës përgjegjësinë e policisë, përgjegjësinë e prokurorisë, përgjegjësinë e gjykatave dhe përgjegjësinë e politikës lokale dhe qëndrore, nëse deshironi!
Në këtë dosje do të gjeni vrasjet e ndodhura dhe motivet e tyre, autorët e tyre, të arrestuarit e hetuarit, të shpallurit në kërkim, të dyshuarit, të dhënat operative të policisë për autorët e pazbuluar, hetimet e prokurorisë, provat, ekspertizat dhe vendimet e gjykatave e rrethin vicioz të lëvizjes së shumë prej këtyre vendimeve. Kjo dosje i ka gjithë këto histori që nga viti 1991 e deri sot. Hapeni këtë dosje dhe do ta gjeni të vërtetën si në dritën e diellit. Nuk ka nevoje as për protesta, as për kërcënime, as për karshillëk, hapeni këtë dosje dhe mësoni deri në “gene” për historine kriminale në Shkodër dhe përgjegjësit e saj, me emra, mbiemra dhe institucionet që kanë perfaqësuar dhe përfaqesojnë.
Ku gjenden materialet e dosjes 33- vjeçare të përgjakjes që ka shkaktuar krimi në Shkodër? Gjenden në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Prokurorinë dhe Gjykatën e Shkodrës, në Prokurorinë e Përgjithshme, në Gjykatën e Apelit e Gjykatën e Lartë dhe, mundet, edhe në arkivën e Sherbimit Informativ të Shtetit, si dhe në arkivën e shtypit e kronikat e mediave.
Hapeni këtë dosje ku fshihet e vërteta e “mitrës kriminale” të Shkodrës, nëse doni ta shëroni, ndryshe vazhdoni kacafytjet nëper studio e protesta, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse e favorizojnë kriminin! Po edhe unë ç’ them, më duket se po kërkoj pak si shumë- hapjen e dosjes 33- vjeçare të krimit në Shkodër! Është kërkuar disa herë hapja e dosjes së investimeve në Shkodër dhe nuk ia ka vërshëllyer njeri, e jo po hapin Dosjen e Krimit! Me duket se kërkova pak si shumë…edhe unë! /Nga Musa KURTULAJ, publikuar në Facebook/