Kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” foli në lidhje me akuzat e opozitës për një biletë basketbolli ku kreu i qeverisë ka parë një ndeshje të NBA-së.
Rama tha se bileta në fjalë ka qenë e rezervuar nga persona që e bëjnë këtë për vite me radhë. Ai u shpreh se nuk ka asnjë biletë të marrë apo të blerë. Rasti, sipas tij, është njësoj si ta ftonin në restorant apo në kafe.
Kur u pyet se kush është personi që e ka ftuar, Rama tha se është një mik pa lidhje me Shqipërinë dhe nuk ka arsye ta deklarojë sepse nuk është dhuratë, por një ftesë, njësoj si ta ftonin në restorant apo kafene.
Blendi Fevziu: Si ishte puna e asaj biletës së basketbollit? Zoti Meta për 15 mijë Euro operacione në Vjenë është atje ku është. Ju uleni atje tek ai stoli i basketbollit. Sa kushtonte bileta?
Edi Rama: Faleminderit që ma bëre këtë pyetje.
Blendi Fevziu: Sa kushtonte?
Edi Rama: Ajo biletë as nuk blihet e as nuk shitet. Ato janë vende të rezervuara nga personat që i kanë marrë për vite të tëra.
Blendi Fevziu: Që në rastin konkret kush ishte?
Edi Rama: Po ç’rëndësi ka kush ishte? Miq të mi… Dhe që donin të më jepnin këtë kënaqësi. Në Amerikë kjo gjë është njësoj sikur të fton dikush në restorant.
Blendi Fevziu: Miq që kanë interesa në Shqipëri, apo miq që s’kanë lidhje me Shqipërinë?
Edi Rama: Jo fare. Do me korruptonte mua me biletën? Këto janë muhabete kot o Fevzi tani. Unë as kam marrë biletë, as kam parë biletë, as kam vënë njeri të blejë biletë, as ka blerë njeri biletë. Në SHBA vendet e rezervuara janë në të gjitha llojet e sporteve. Rezervohen nga njerëzit jo thjesht për vete që të shkojnë çdo herë, por edhe për të ftuar miq siç ftohen në restorant, siç ftohen në kafe. Meqë hape çështjen e dhuratave unë po të them. Unë jam i pari kryeministër në historinë e këtij vendi. Tani nuk po fus kohën e komunizmit se atëherë nuk kishte të tilla që çdo dhuratë me dhuratat që më vijnë se vjen një delegacion dhe lënë dhurata. Dhuratat në raste të caktuara kanë vlerë shumë të madhe. Unë me dhuratat e marra kam krijuar një muze në kryeministri dhe çdo dhuratë që vjen për mua regjistrohet si pronë e Republikës së Shqipërisë. Dhe vetëm në ora në vlerë që janë të regjistruara si pronë e Republikës së Shqipërisë bëhet fjalë për shuma shumë të mëdha. Pra që të jemi shumë të qartë.
Blendi Fevziu: Pyetja ime është kush është personi që ju ka ftuar?
Edi Rama: Është një mik pa asnjë lidhje me Shqipërinë dhe nuk kam arsye ta deklaroj sepse nuk është dhuratë. Është një ftesë. Është njësoj, atëherë duhet të deklarojmë me kë ishim në restorant, me kë ishim në kafe. Nuk i kemi këto detyrime. Po të shpjegoj pyetja ime është. Ore këta kryeministrat e tjerë, kanë marrë dhurata këta? Se unë kur kam vajtur në kryeministri kam gjetur “terra vuota”, asnjë gjë. Pyetja ime është a kanë marrë a s’kanë marrë dhurata.