Një nga emrat më të mëdhenj të basketbollit shkodran e shqiptar, madje edhe të sportit në përgjithësi, Renato Radoja ka festuar ditëlindjen. Plot 85- vite për legjendën e gjallë, i cili mund të ishte bërë pjesë e të gjitha ekipeve, në të gjitha ligat europiane e amerikane, falë talentit të tij të padiskutueshëm.
Ishte i papërmbajtshëm në fushën e lojës si basketbollist por ishte mjaft i suksesshëm edhe si trajner, duke zbuluar e kultivuar talentin e shumë e shumë sportistëve në ekipet e Vllaznisë. Një ditë e tillë, nuk mund të kalonte pa vëmendjen e duhur. Emrat e njohur të këtij sporti por edhe të fushave të tjera, e uruan Renato Radojën në zyrën e kryebashkiakut Benet Beci, që i kishte rezervuar një pritje.
“Një legjendë e gjallë e basketbollit shkodran dhe atij shqiptar. Mes shumë sportistëve e miqve të nderuar pata kënaqësinë ta uroja Renato Radojën për 85-vjetorin e lindjes. Të gjithë e njohin dhe e vlerësojnë kontributin e çmuar të tij në basketbollin shqiptar. Edhe 100 vite mjeshtër!”, shkruan në publikimin e tij në rrjetet sociale kryebashkiaku Beci.