Unë quhem Alba Fishta. Kam përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, dega Financë-Kontabilitet. Fillova universitetin me dy bursa, një nga shteti dhe një nga AMC, si maturantja me pikët më të larta për degën që kisha zgjedhur. Këto bursa i mbajta gjatë të gjitha viteve të studimeve, bazuar në rezultatet e mia, dhe përfundova me mesataren më të lartë nga të gjithë studentët e diplomuar në vitin 2011.
Koha ime si studente u bë edhe më e veçantë për shkak të angazhimit tim në SIFE (Students in Free Enterprise), ku u fokusonim në projekte për zhvillimin ekonomik, si dhe për angazhimin tim si Përfaqësuese e Studentëve në Këshillin Studentor gjatë dy viteve të fundit të universitetit. Të dyja këto përvoja më kanë ndihmuar të njoh më mirë vetveten dhe aftësitë e mia. Gjithashtu, pata fatin të studioj një semestër në Vjenë si studente shkëmbimi.
Që pas diplomimit në vitin 2011, unë jetoj në Amerikë 🇺🇸. Prej 12 vitesh punoj për Nordstrom, Inc., një lider në industrinë e modës në SHBA. Gjatë këtyre viteve kam mbajtur pozicione të ndryshme, si Menaxhere Burimesh Njerëzore, Menaxhere Projektesh për Administrimin dhe Planifikimin e Forcës Punëtore, Menaxhere Biznesi (me një qarkullim vjetor prej 20 milionë dollarësh) etj. Aktualisht mbuloj territorin e Connecticut, New York dhe New Jersey si Partner për Bizneset e Burimeve Njerëzore për dy biznese të Nordstrom dhe Nordstrom Rack.
Jam shumë mirënjohëse për pedagogët e universitetit që më kanë besuar, mbështetur dhe ofruar përvoja të vlefshme, të cilat më ndihmuan të përgatitem dhe të ngjis shkallët e suksesit në “corporate America”. /Nga Albana FISHTA, publikuar në faqen zyrtare të Fakultetit Ekonomik të UNISHK në Facebook/