Komisariati i Policisë Shkodër shpalli në kërkim shtetasin G. S., 21 vjeç, banues në Shkodër, pasi ditën e djeshme, në rrugën “Fahri Ramadani”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta shtetasin G. A., 36 vjeç, i cili mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. L., 64 vjeç, banues në fshatin Naraç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Komisariati i Policisë Malësi e Madhe referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. N., 29 vjeç, banues në fshatin Mes, pasi është kapur duke transportuar me automjet, një sasi drush për zjarr, të prerë në mënyrë të kundërligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Brashtë, në vendin e quajtur “Bjeshka e Brashtës”, gjetën të kultivuara 88 bimë të dyshuara narkotike, të cilat i asgjësuan me anë të djegies. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve të këtij rasti.