Ndërsa vazhdon numërimi i votave në ato që konsiderohen si shtete kyçe në garën për president të SHBA- ve, Donald Trump është shumë pranë fitores së mandatit të dytë. Pikë e kthesës ishte fitorja në Karolinën e Veriut, teksa mjaft e rëndësishme ishte fitorja në shtetin e Xhorxhias para pak minutave. Në shtetet ku po numërohet, përgjithësisht vijon kryesimin Trump.
Aktualisht, Trump ka siguruar 246 “zgjedhës të mëdhenj” kundrejt 182 të Harris. Sipas përllogaritjeve të New York Times, ish- presidendi ka aktualisht 92% shanse të zgjidhet president, duke e çuar parashikimin për numrin e “zgjedhësve të mëdhenj” të fituar nga ai, në 302.
Për të siguruar fitoren, sipas sistemit amerikan të zgjedhjeve, nevojiten 270 “zgjedhës të mëdhenj”, teksa TRump është përpara edhe në atë që konsiderohet si vota popullore. Në këto zgjedhje votohet edhe për rinovimin e 1/3 të Senatit, ku duket se republikanët do të kenë shumicën për ta drejtuar atë.