Kryeministri Edi Rama ka publikuar në faqen e tij në Facebook një foto me disa arinj në dëborë, duke i identifikuar si të fotografuar në zonën e Tropojës.
Në fakt, është fotografia e një arushe me të vegjlit e saj e kapur në Poloni, por që për stafin që i administron faqen kryeministrit të vendit, ky moment është kapur në bjeshkët e Tropojës.
Ka qenë faqja ngacmuese në Facebook “Monella Vagabonda” ajo që ka vënë në dukje këtë gabim në postimin e shefit të qeverisë shqiptare. Nuk ka vonuar dhe postimi i Ramës është fshirë nga rrjetet sociale.
Jo vetëm në këtë rast por edhe raste të tjera, politikanë dhe personazhe VIP, kanë sjellë në aktualitetin shqiptar foto, video apo evente që stafet përkatëse, pa ndonjë verifikim të thelluar, i kanë publikuar.