Kjo vajzë e lindun ne Chicago, e rritun deri në moshën 6- vjeçare në Tiranë, me banim në Kaliforni kishte nji andërr, me lujtë volejboll në D1 program në universitetet e Amerikës. Nji andërr që konsiderohet njilloj si me fitu lotarinë. Klea Miloti mori nji rrugëtim, i cili nuk i jepte asnjë siguri, ai kërkonte kërkesa ndaj vetes, seriozitet dhe punë me përkushtim dhe sakrifica.
Shkollat që ajo kishte piksynim, kërkonin mesatare të naltë dhe gjithashtu cilësi në sport. Vitin e parë të gjimnazit e kreu në Kaliforni dhe duke pa kërkesat e nalta të ekipit të shkollës, e pa se i nevojitej një rritje esenciale në volejboll. Në këtë pozicion i erdhi nji ofertë nga dikush shumë i dashtun për të: “Po sikur të vish në Shkodër e të jesh pjesë e Vllaznisë?”.
Kleas i mjaftoi vetëm nji ditë me marrë vendim, filloi planifikimi me ardh në Shqipni. Ajo erdhi në Shkodër duke jetu me gjyshen dhe kushërinjt e saj, u ba pjesë e shkollës “Jordan Misja” dhe gjithashtu e Vllaznisë. Krijoj miqësi të reja dhe punoi fort me u integru në jeten e qytetit. Stërvitja ishte e vështirë, sa herë që kishte mundësi, 2 herë në ditë.
Axhi i saj, në të njajtën kohë trajneri i saj personal, ishte strikt dhe i vërtetë me Klean për sa i takon nivelit, të cilin ajo duhet të arrinte. Në shkollë dhe në sport, ajo gjeti mbështetjen e mësuesve, trajnerëve dhe ngrohtësinë e moshatarëve të saj. Lot, të qeshuna, dhimbje, mall, arritje dhe dështime ajo i provoi të tana, por nuk u dorëzu. Sot ajo nënshkroi kontratën e volejbollit në nji nga shkollat ma të mira të Amerikës. Urime zemër, jena shumë krenar për ty!! /Nga Valbona QUKU LISHA, publikuar në Facebook/