Prej disa kohësh, në ambjente të ndryshme të qytetit të Shkodrës por edhe në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, është ngritur shqetesimi i përhapjes së sallave mortore në zona me densitet mjaft të lartë banorësh. Madje, në jo pak raste, katet e para të pallateve të vjetra dhe të reja, janë kthyer në salla mortore.
Tashmë duket se ky shqetesim do të marrë zgjidhje, pas një verifikimi në terren nga ekspertë të bashkisë Shkodër. Ata i kanë evidentuar këto salla dhe kanë propozuar zhvendosjen e tyre jashtë zonës urbane të qytetit të Shkodrës. Lajmin e ka dhënë vetë kryebashkiaku Benet Beci, përmes një publikimi në rrjetet sociale.
“Të nderuar banorë të Shkodrës,
Një nga problemet më shqetësuese që me të drejtë është sjellë shpesh në vëmendjen tonë ka qenë prania e sallave mortore pranë zonës urbane të qytetit.
Kemi krijuar një grup pune për evidentimin e këtyre ambienteve që sjellin shqetësim për komunitetin. Është përgatitur një hartë me propozimin si më poshtë :
Në zonën e vijëzuar do të jetë i ndaluar ushtrimi i aktivitetit të sallave mortore/shtëpi funerali/ salla pritjeje.
Në pjesën tjetër do të jetë i ndaluar shfrytëzimi i mjediseve të banuara kryesisht katet e para të pallateve për salla mortore/shtëpi funerali/ salla pritjeje.
Ky propozim do të shqyrtohet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Mirëpresim sugjerimet tuaja për këtë iniciativë që është në dobi të banorëve të Shkodrës.”, shkruan kryebashkiaku Benet Beci.