Kupola e tempullit të madh, Odeoni, ngrihet mes malit Dajti dhe pallateve të Tiranës së vjetër komuniste. Para një Kurani të lashtë, Baba Mondi ofron vizitorëve të tij çaj, kafe dhe raki, në atë që mund të bëhet shteti më i vogël në botë, “Vatikani musliman”.
Kurani thotë: Pi dhe ha atë që do, por pa e tepruar. Feja jonë është një fe paqeje dhe progresive, buzëqesh qetë ky ish-oficer i ushtrisë shqiptare, Edmond Brahimaj, 64 vjeç, një mysliman që nga viti 2011 është lideri shpirtëror i Bektashinjve, një komunitet sufi që bashkon Islamin me mistikën dhe predikon një version liberali të fesë së Muhametit: asnjë ndalim për pirjen e alkoolit, asnjë imponim për veshjen, barazi gjinore, po për divorc, jo për abort por pa detyrime, feja e ndarë nga politika. Dhe njeriu në qendër: Kush e njeh veten, njeh Perëndinë.
Edi Rama, kryeministri i njohur shqiptar, tani do të ofrojë sovranitet shtetëror për urdhrin Bektashi në këta 11 hektarë toke të mbjellë me barëra, trëndafila dhe ullinj, ku dervishët të veshur me të bardha presin kuriozët dhe besimtarët dhe dy herë në javë tërhiqen në teqe për ritus sekrete, ato që janë të rezervuara vetëm për klerin.
Avokatët e Ramës janë duke punuar për të përcaktuar projektin, ndërkohë Baba Mondi vepron me kujdes: Nuk do të jemi si Vatikani. Nuk do të kemi roje zvicerane as ushtri, nuk duam të ngrejmë mure ose të tërheqim kufij, duam një njohje ligjore sepse për tani jemi vetëm një OJQ. Kjo do të thotë të mund të lëshojnë pasaporta dhe të kenë status diplomatik që u mundëson Bektashinjve të krijojnë marrëdhënie autonome me shtete dhe komunitete fetare të tjera.
Me një fjalë: të kenë më shumë ndikim. Gjithmonë brenda kufijve të ligjit shqiptar, sqaron Ana, me flokët e gjata që rrjedhin mbi kostumin e zi, taka të larta dhe një shenjë grimi. Ajo u bë pjesë e Bektashizmit disa vjet më parë, «pas një periudhe të vështirë», dhe tani ajo është zëri i ri i tij në Bruksel: Ne ndajmë me Europën vlera dhe principe të përbashkëta mbi të drejtat e njeriut.
I lindur në shekullin XIII, Bektashizmi ishte feja e elitës ushtarake osmane, e përhapur në të gjithë Azinë Perëndimore. Kur Ataturku themeloi Republikën laike të Turqisë në fillim të shekullit XX, Bektashinjtë ikën në Shqipëri duke marrë pjesë në “pranverën shqiptare”, rezistencën kundër perandorisë: në manastiret e tyre, teqetë, qarkullonin fshehurazi libra shkollorë në gjuhën shqipe, e ndaluar atëherë.
Po ato teqe strehuan hebrenjtë: pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte një nga vendet e pakta evropiane me një komunitet hebre më të madh se ai që kishte pas luftës. Me komunizmin erdhi nata: gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, Bektashinjtë u ndaluan dhe persekutuan, pasuritë e tyre u sekuestruan, teqetë u shkatërruan, por ata rezistuan, në ilegalitet.
Drita e perëndimit hyn nga dritaret e tempullit, dymbëdhjetë sa dymbëdhjetë imamët, duke ndezur kadifenë e kuqe dhe arabeskët. I veshur me tunikën e gjelbër, mjekra e gjatë për të dëshmuar distancimin nga gjërat tokësore, Baba Mondi duket se kthehet me dhimbje në atë të kaluarën: Luteshim fshehurazi, duke maskuar mbledhjet si festa ditëlindjesh ose festa fëmijësh, dhe kështu shpëtuam traditat. Papa Gjon Pali II ishte Papa i parë që kaloi kufijtë e Shqipërisë pas rënies së regjimit të fundit stalinist në Europë. Ai thoshte se nëse nuk do të ishin Bektashinjtë, nuk do të kishte mbetur asnjë shqiptar, kujton kleriku që ka një ide të qartë për Islamin politik: Nëse feja përzihet me politikën dhe biznesin, nuk është më fe, është pushtet.
Sot, besohet se mes 5 dhe 10% e popullsisë shqiptare janë Bektashinjtë. Propozimi i Ramës ka marrë mbështetje, edhe pse disa e kanë etiketuar si një tjetër truk reklamues të kryeministrit, dhe disa të tjerë kanë ngritur shqetësime: si përfaqësuesit e komunitetit sunnit, shumicës në vend, gjithashtu të njohur për moderimin dhe bashkëjetesën shekullore me katolikët dhe ortodoksët. Shteti ynë është Shqipëria dhe ne jemi përfaqësuesit e vetëm të fesë islame», ka deklaruar muftiu Bujar Spahiu.
Ferdinand Samarxi, ekspert i feve, shikon çështjen nga një këndvështrim tjetër: Ideja e Ramës është të japë një përgjigje strategjike ndaj ekstremizmit në rritje global dhe intolerancës fetare duke promovuar një interpretim paqësor të Islamit».
Empatia mes kryeministrit dhe Baba Mondit ka lindur në vitin 2015, kur kleriku i propozoi të merrnin pjesë bashkë në funeralet e viktimave të sulmit islamist ndaj Charlie Hebdo në Paris. Që atëherë, Rama ka tentuar të ndryshojë Tiranën, duke zbukuruar qendrën me kulla të dizajnuara nga arkitektë të njohur, sheshe pedonale, shtigje biçikletash dhe ambicie për ta bërë atë një Dubai të Ballkanit, një destinacion turistik edhe ndërfetar. Lideri Bektashi ka takuar papë, kardinalë, imama, rabinët, presidentin izraelit – takim që i solli akuzën për shërbimin ndaj “sionistëve” ka prishur kufij që nuk kanë sjellë gjithmonë simpati. Jo ata të Bektashinjtë turq, për shembull, të cilët kërkojnë ekskluzivitetin mbi komunitetin dhe kundërshtojnë një shtet të bazuar në fe. Pothuajse dy javë më parë, Erdogani erdhi në Tiranë për të hapur një xhami të re sunnite.
Shqipëria e vogël në mes të kërkesave të mëdha. Megjithatë, Rama nuk tërhiqet: Bektashinjtë sufi nuk kanë shtete të fuqishme pas tyre dhe në shumë shtete janë ende të persekutuar, një shtet do të ishte për ta garanci mbijetese. /Publikuar në gazetën italiane “La Repubblica”/