Shkruan në Facebook kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci: Moti i keq me erëra të forta dhe reshje shiu që ka shoqëruar terrizorin e Bashkisë Shkodër ka krijuar probleme në segmentin rrugor në ndërtim Prekal – Kir.
Gjatë natës ka pasur rrëshqitje të mëdha të rrugës, gjë që ka sjellë bllokimin e saj për automjetet.
Bashkia Shkodër ka vënë në dijeni strukturat e emergjencave civile dhe firmën kontraktuese për menaxhimin e kësaj situate ndërkohë që u bën thirrje banorëve që të bëjnë kujdes në këtë segment rrugor.
Rrëshqitje gurësh janë regjistruar edhe në një tjetër segment të lotit të dytë të rrugës Kir-Shosh, në vendin e quajtur Prroni i Çiverrit. Me përmirësimin e kushteve atmosferike, firmat që po kryejnë investimin do të ndërhyjnë për zhbllokimin e rrugës.
Në dy segmentet ku ka pasur rrëshqitje të masivit shkëmbor ndodhet një rrugë që është ende në proces ndërtimi, si pjesë e investimit për rrugën e Dukagjinit.
U bëj thirrje banorëve të zonës që të tregojnë kujdes gjatë ditës së sotme, ndërsa firmat po marrin masa për ndërhyrje të shpejtë me qëllim zhbllokimin e rrugës dhe vijimin e investimit.