Një lajm i trishtë është mësuar këtë të diel në Shkodër. Kujtim Luli, i konsideruar si hidrauliku më i vjetër në profesion në Shqipëri dhe Kosovë, ka ndërruar jetë në spitalin e Shkodrës. I pensionuar nga UK Shkodër ku punoi 50 vite, ai pësoi rreth një muaj më parë një incident në banesën e tij. Ai ishte nën kujdesin dhe trajtimin e mjekëve, por nuk ia doli të fitojë betejën.
Rreth 2 vite më parë, për kontributin 50 vjeçar në profesionin e hidraulikut, UKSH i dedikoi edhe një material filmik që u transmetua edhe në mediat lokale, si simbol i njeriut të punës dhe përkushtimit të pandërprerë në profesion. Edhe këto dy vite ai nuk u nda nga profesioni, duke dhënë kontribut sa herë i kërkohej nga miqtë, të njohurit por edhe qytetarët e Shkodrës në përgjithësi.
Edhe ndërmarrja ku ai kontribuoi për 50 vite, e ka kujtuar sot me një publikim në faqen zyrtare në Facebook të Shoqeria Rajonale Ujesjelles Kanalizime Shkoder.
Sot është një ditë e trishtë për Shoqërinë Rajonale të Ujësjellës Kanalizime por edhe më gjërë! Kujtim Luli, hidrauliku që për afro 50 vite punoi me përkushtim është ndarë nga jeta në moshën 67 vjeçare.
Pas disa ditësh në spital në gjendje të rëndë fatkeqësisht nuk arriti që të mbijetojë.
Kujtim Luli do të kujtohet përgjithmonë për pasionin e tij në shërbim të komunitetit. E nisi punën që në moshën 14 vjeç duke vijuar me shumë përkushtim deri para dy vitesh kur mbushi moshën e pensionit.
Është një prej hidraulikëve të rëndësishëm që mori pjesë në instalimin e rrjetit të ujësjellës kanalizime në vitet ’70 në Shkodër ndërsa asnjëherë nuk u kursye për të mësuar e këshilluar dhjetra e dhjetra të rinj që dolën nga duart e tij si hidraulikët e ardhshëm.
Ne i shprehim ngushëllimet e sinqerta familjes, të afërmve e miqve për humbjen e njeriut të tyre të dashur si dhe shprehim një mirënjohje të thellë për kontributin e tij 50 vjeçar plot përkushtim, sakrificë e profesionalizëm.
Kujtim Luli për 50 vite ishte pjesë e ndërmarrjes së ujësjellës kanalizime në Shkodër. Ishte vetëm 14 vjeç kur hidrauliku shkodran Kujtim Luli nisi punën për herë të parë në vitin 1972 për të vijuar për 5 dekada në ujësjellësin e Shkodrës. Në ditën e tij të fundit të punës 65 vjeçari rrëfente se cila ishte puna e tij e parë dhe mjeshtrat që gjeti asokohe.
65 vjeçari i dy viteve më parë, i kishte akoma ende të freskët vitet ’70 kur në Shkodër u instalua rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm. Përveç Shkodrës, Luli punoi edhe në shumë prej fshatrave duke i furnizuar për herë të parë me ujë.
Kushtet gjatë asaj kohe nuk ishin të lehta tregonte hidrauliku 65 vjeçar ndërsa vështirësitë vijuan edhe në fillim vitet ‘90. Gjatë punës prej 50 vitesh hidrauliku Luli rrëfen disa prej momenteve më kritike siç janë përmbytjet e 2010-ës në Shkodër.
Ndërkohë që për profesione si hidrauliku ka mangësi, 65 vjeçari thonte se do ta vijojë punën edhe pas pensionit për të shërbyer në shtëpitë e qytetarëve shkodranë.
Kujtim Luli në Shqipëri por edhe në Kosovë rezultonte në 2022 si hidrauliku më jetëgjatë i ndërmarrjeve të ujësjellësit. Për një gjë të tillë iu dorëzua një çmim simbolik në një konferencë të përbashkët të zhvilluar mes Shoqatës së Ujësjellësit të Shqipërisë dhe Kosovës në Prishtinë, teksa i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet e veta familjes, miqve, të njohurve të të ndjerit Kujtim Luli!