Manastiri, qyteti i Alfabetit në Maqedoninë e Veriut prej një viti ka pjesë të tij edhe Bibliotekën e parë shqipe, iniciativë e studentes Emira Selimi, përmes donacioneve të shumta. Kontribut të rëndësishëm në të ka padyshim Shkodra. Si atëherë edhe sot kryeqendra e Veriut me intelektualët e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm për themelimin e kësaj biblioteke.
Shkrimtari Zija Vukaj dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës i është bashkuar iniciativës për pasurimin e Bibliotekës së parë shqipe të Manastirit me librat e dhuruar të karakterit historik e letrar.
Në Bibliotekën shqipe të Manastirit ka fond për çdo trevë shqiptare dhe çdonjëri që e viziton atë do të gjejë një copëz atdhe në atë hapësirë rrethuar nga librat. Mbi 15 mijë të tillë janë aktualisht në të me dëshirën që në të ardhmen numri i tyre të rritet.