Ernest Gjoka “shkund” ekipin. Ka shumë pak kohë në krye të Vllazninë, por duke qenë se rezultatet nuk i kanë në favor, trajneri ka filluar të mendojë për ndryshimet. Dhe duket se gjithçka po e nis me anën psikologjike. Ai po mundohet që t’u injektojë ndjenjën e lidershipit titullarëve. Dhe filozofinë e tij e ka shfaqur në prononcimin e dhënë për media.
“Shumë lojtarë nuk e kanë atë egon apo atë përgjegjësinë e lidershipit. Duhet dikush që të bëhet ‘lokomotivë’ e këtij treni për t’i tërhequr këta ‘vagonë’ për të ndryshuar rrugë. Kjo është ajo që unë kam dëshirë të ndryshoj dhe për këtë qëllim kam ardhur, të ndryshoj Vllazninë në mentalitet. Se sa do ia arrij, këtë pastaj do ta tregojë koha.
Duhet të kuptojmë se ne duhet të ndryshojmë mentalitet. Duhet të ndryshojmë idenë se do të vijmë te Vllaznia vetëm si emër dhe jo për të bërë diçka ndryshe. Po flas përditë me futbollistët, për të qenë më të fortë psikologjikisht dhe u kam kërkuar që të jemi burra. Ky sport është sport burrash. Dhe nëse nuk mbajmë përgjegjësi dhe fshihemi, kujt i fshihemi, njëri-tjetrit?
U kam thënë djemve se deri në dhjetor jemi të gjithë në test. Nga unë i pari dhe deri te futbollisti i fundit, i 18-ti. Për të ndryshuar mentalitet, për t’u bërë burra, për të dalë para njerëzve, për të marrë përgjegjësi sepse vërtet aty brenda ka lojtarë me cilësi shumë të mira, por duhet të kenë edhe cilësi lideri”, ka thënë Gjoka gjatë fjalës së tij. Mesa duket, trajneri pret që reagimi i futbollistëve të vijë duke i vënë në sedër, ashtu sikundër ka vepruar pak kohë më parë edhe paraardhësi i tij, Armando Cungu.
FORMACIONI
Pak lëvizje priten në formacionin e Vllaznisë për takimin e fundjavës me Teutën. Ndryshe nga java e fundit, pritet që në fushë të rikthehet Çinari në të djathtë të mesfushës. Ndërsa në pikëpyetje mbetet Ardit Krymi, i cili ka munguar gjatë seancave të fundit. Në kësi kushtesh, pa pak shanse që ai të luajë dhe mesfusha do i besohet pesëshes: Çinari, Tafili, Hasani, Vucaj e Lika, ndërsa porta, mbrojtja dhe sulmi nuk ndryshojnë. /Admir Uruci/