Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh më 3 korrik të këtij viti, ku në rend dite kishte miratimin e kandidaturave për kreun e ri të PD. Në këtë mbledhje mungoi lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili zgjodhi heshtjen që pas humbjes së thellë që pësoi partia e tij më 25 qershor, nën udhëheqjen e Lulzim Bashës.
Sali Berisha vendosi të flasë për herë të parë publikisht ditën e djeshme, pasi hodhi votën e tij për kreun e ri të PD. Ndër të tjera, Berisha u ndal dhe te mbledhja e fundit e Kryesisë, ku tha se pati një gabim nga Edi Paloka dhe Edmond Spaho për datën e zgjedhjeve në PD, por që u korrigjua, duke shtuar në këtë mënyrë se nuk është shkelur statuti.
Në fakt, ka një detaj të rëndësishëm nga mbledhja e Kryesisë, që mbase Berisha e ka harruar ose nuk është në dijeni.
Kryesia e PD e mbledhur pasditen e 3 korrikut kishte në rend dite vetëm dy pika, ku asnjëra prej tyre nuk ishte për datën e zgjedhjeve. Anëtarët e selisë blu diskutuan në atë mbledhje pranimin e kandidatëve dhe jo datën e shpalljes së zgjedhjeve, e cila për hir të së vërtetës nuk u diskutua asnjëherë.
Në mbledhje pati një grup anëtarësh të Kryesisë, të cilët propozuan shtyrjen e datës së zgjedhjeve, duke kërkuar më shumë kohë, në radhë të parë për të bërë një analizë brenda PD-së për rezultatin katastrofik që pësoi në zgjedhje.
Por, kërkesa e tyre nuk u mor parasysh fare, ku ishin pikërisht Paloka dhe Spaho, që nuk pranuan diskutimin e kësaj çështjeje të rëndësishme, duke e hedhur poshtë në votim. Me 11 vota pro dhe 14 kundër, Kryesia rrëzoi kërkesën e paraqitur nga ky grup anëtarësh, duke mbyllur kështu këtë temë, pa e diskutuar.
Nuk ka pasur kurrë asnjë njoftim, asnjë mbledhje Kryesie, asnjë protokoll dhe asnjë diskutim mbi datën e zgjedhjeve në PD për kreun e ri. Kjo datë është caktuar personalisht nga Lulzim Basha. Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, teksa ky i fundit e pyeste për dorëheqje, Basha tha para shqiptarëve se largimin e tij do ta vendosin demokratët më 22 korrik. Kjo pra ishte gjithçka, data u caktua nga vetë Basha dhe “ushtarët” e servilët e tij në PD mbyllën çdo diskutim tjetër, duke rrëzuar kërkesën e asaj pjese që kërkonte me të drejtë një diskutim të datës.
Basha dhe të gjithë servilët e tij e dinë mjaft mirë se nuk ka pasur asnjëherë një mbledhje Kryesie me rend dite diskutimin dhe caktimin e datës së zgjedhjeve në PD, por ajo mbledhje është zhvilluar thjesht dhe vetëm për miratimin e kandidaturave, prej së cilës dolën vetëm dy emrat, ai i Lulzim Bashës dhe i Eduard Selamit.
Kjo tregon qartë se shpallja e 22 korrikut si datë për mbajtjen e zgjedhjeve është antistatutore, një vendim ky i marrë nga Edi Paloka dhe Edmond Spaho.
Pra, vendimi i Kryesisë, për të cilën foli dje Berisha, është në shkelje të statutit të PD, me “urdhër” të Bashës dhe firmë të Palokës e Spahos. Është mjaft i rëndësishëm fakti që në Kryesi nuk u pranua të diskutohej data e zgjedhjeve, pasi kërkesa për këtë çështje u hodh poshtë menjëherë./CityNews