Bashkia Lezhë po kalon një situatë mjaft të vështirë financiare, çka ka ndikuar edhe tek pagat e punonjësve të administratës të cilët nuk janë paguar prej gati tre muaj.
Ky fakt pranohet nga vetë kryetari i bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, sipas të cilit borxhi i trashëguar prej 5.2 miliard lekesh ka dhënë ndikim në këtë drejtim.
Frrokaj shton se deri tani janë likujduar 2.6 miliad lekë të këtij borxhi, shpenzime këto të pa parashikuara çka ka ndikur në zbrazjen e arkës së bashkisë.
“Ne kemi trashëguar një borxh prej 5.2 mld lekësh, i cili është i barabartë me buxhetin e plotë të një viti. Meqënëse ato borxhe janë të kthyera në mënyrë të pashmangshme, një faturë e cila na u la ne nga qeveria, atëherë i binte që ne të bënim ca shpenzime për likujdimin e ca borxheve të paparashikuara, fond ky i paparashikuar dhe i marrë nga disa shërbime të tjera, të cilat rëndojnë pak edhe në strukturat e bashkisë”, u shpreh kryetari i bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.
Frrokaj garanton se deri para vitit të ri do të kapërcehet kjo situatë dhe të gjithë punojësit do të marrin pagat e tyre.
“Deri në momentin që flasim jam munduar të paguaj siguracionet, për të mos qenë në borxh me shtetin. Për një afat shumë të shkurtër punonjësit do të marrin pagat”, u shpreh Frrokaj.
Gjatë kohës së fushatës për këtë vit bashkia Lezhë ka punësuar me kontratë mbi 100 punonjës, ndërkohë që paga minimale për ta ka qenë rreth 30 mijë lekë. Megjithatë 2017-ta konsiderohet si një vit mjaft i vështirë për Bashkinë Lezhë, pasi dhe investimet kanë qenë pothuajse zero, kjo duke ju referuar dhe faktit se qeveria Shqiptare nuk i ka financuar projektet e paraqitura nga kjo njësi vendore.
[frontpage_news widget=”28067″ name=”Postimet e fundit”]