Ashtu si çdo fundjavë, edhe këtë të shtunë, rubrika humoristike e emisionit “Kjo javë” në “News24”, ka përcjellë momentet më pikante të javës.
Ndonëse këtë të enjte nuk pati një seancë plenare, pasi çështjet më të rëndësishme si zgjedhja e kryeprokurorit të ri, shkarkimi i kreut të KQZ-së, apo diskutimi i buxhetit 2018 nen për nen i kanë kaluar seancës së 30 nëntorit; gjithë java është shoqëruar me debate të forta politike.
Mazhoranca ka akuzuar PD-në për lobim në SHBA me para që u fshihet burimi financimit. E pas këtyre akuzave nuk kanë munguar reagimet e opozitës.
Një tjetër moment i rëndësishëm i kësaj jave që po lëmë pas, është aksioni i nisur nga Ministria e Mjedisit për të mbajtur pastër mjedisin dhe për pastrimin e Shqipërisë.
Jo pak përshtypje gjatë kësaj jave, ka bërë një batutë e deputetit demokrat Gent Strazimiri, para gazetarëve. Teksa ata e kanë pyetur të shprehë qëndrimin e tij për një çështje të diskutuar në komisione, ai pasi i ka pyetur “Çfarë dite është sot?”, u ka thënë se “nuk flet për ditë të martë”. Nuk dimë nëse kjo është ditë ters për deputetin, apo kjo ka qenë thjesht një batutë e tij për të dalë nga situata.
Padyshim debat, gjatë kësaj jave, ka ngjallur reagimi i ish-ministres së Brendshme, Elona Gjebrea ndaj gazetarëve, të cilët e kanë pyetur nëse ka udhëtuar me makinën e Habilajve./gazetaexpress/