Nga Romeo Gurakuqi
Në këto ditë feste të Pavarësisë dhe përkujtimit të dëshmorëve të rënë për liri dhe nën tytat e armëve vëllavrasëse të drejtuara nga ushtarët e Enver Hoxhës, dua të ekspozoj tezën e Thyerjes së Zhvillimit dhe Evolucionit Normal të shoqërisë shqiptare në periudhën 1939-1945. Kjo thyerje u përjetua në shoqëri dhe në elita, me pozicionime jo të qëndrueshme, duke u shfaqur në një prej elementëve pesëvalentë: Akomodim, Bashkëpunim, Rezistencë Nacionalçlirimtare, Luftë Civile dhe Uzurpim Bolshevik Pushtet, ku për të mbijetuar, një individ, një grup shoqëror, një fis, një familje, një krahinë e Shqipërisë së prapambetur do të duhej të përqafonte dhe të rreshtohej në njërin nga qëndrimet e mësipërme, dhe më së shumti, dy nga ato qëndrime: Akomodimin ose Rezistencën.
Kështu pra, krahas koncepteve tradicionale të mirënjohura të rezistencës/luftës nacionalçlirimtare dhe të kolaboracionizmit, ne kemi zhvilluar konceptin e akomodimit për ta diferencuar nga kolaboracionizmi; konceptin e luftës civile, që ka bashkëshoqëruar dhe shpeshherë ka mbisunduar mbi luftën nacional-çlirimtare; “banditizmin revolucionar”, që shpjegon përzierjen e elementëve radikalë, injorantë dhe kriminalë në procesin liridashës dhe atë të uzurpimit të pushtetit dhe vendosjes së regjimit të terrorit, që shoqëruan thyerjen e rrjedhës normale historike të Shqipërisë dhe Tokave të saj të Lirueme.
Akomodimi i popullsisë shqiptare në Shqipërinë e Veriut, në Tokat e Lirueme, në Shqipërinë Qendrore, dhe në pjesën e elitës së Shqipërisë së Jugut, ka qenë një qëndrim reflektiv natyral, për pjesën më të madhe të periudhës 7 prill 1939/ 20 prill 1941 deri në 16 nëntor/28 nëntor 1944. Po ashtu, akomodimi dhe bashkëpunimi në një pjesë të elitës funksionoi në mënyrë të shkëmbyeshme, varësisht rrethanave, kohës dhe sjelljes së pushtuesve.
Kështu, në periudhën e pushtimit fashist italian, kemi një rreth të ngushtë njerëzish që bashkëpunojnë me sunduesit e kohës dhe një pjesë tjetër të elitës së vendit, që akomodohet, si një përpjekje për të gjetur një modus vivendi me italianët dhe për të mos ndryshuar shumë stilin e jetës tradicionale të periudhës së para 7 prillit 1939.
Me kalimin e kohës, akomodimi erdhi duke shënuar për këtë elitë, pajtim me kërkesat e autoriteteve qeveritare nën pushtim, pajtim që teorikisht synonte që të neutralizonte goditjen e pushtimit, por në praktikë, lejoi tejkalime denigruese dhe tipike kolaboracionizmi, nga ana e italianëve (sulmi nga territori i Shqipërisë së shtetit sovran grek, goditjet ndaj rajoneve të caktuara të popullsisë në jug dhe në qendër, pas përfundimit të luftës italo-greke), por edhe uli goditjen ndaj mirëqenies, një dukuri e qenë- sishme në pjesën më të madhe të politikave të ndjekura nga italianët në vitet e para të pushtimit.
Akomodimi përbën një urë të ndërmjetme që u vendos mes qëndrimeve të përkundërta, të rezistencës dhe bashkëpunimit. Akomodimi, sipas nesh, është edhe karakteristika kryesore e qëndrimit të elitës, dhe një pjesë themelore e ekipit drejtues qeveritar, ose të atyre që njihen rëndom si “patriotët tradhtarë”, në kohën e okupacionit gjerman. Edhe pse akomodimi është një kusht paraprak për bashkëpunim, ai nuk duhet ngatërruar pastër me atë.
Kjo sepse në kuptimin e ngushtë politik, bashkëpunim nënkupton thjesht një akt tradhtie, të kryer nga qytetarët e një vendi të pushtuar në mënyrë individuale ose bashkërisht, me regjimin e pushtimit. Ky akt u përket edhe elementëve që bashkëpunuan me regjimet fashiste dhe naziste në Shqipëri, ashtu edhe me komunistët shqiptarë në Shqipërinë e Veriut kundër të gjithëve, kundër komunitetit katolik, komunitetit mysliman, posaçërisht dhe në Tokat e Lirueme kundër popullsisë shqiptare mashkullore, djelmisë së Kosovës, që e deportuan për territorit të Korridorit Verior, drejt Dalmacisë.
Historia zyrtare ka paraqitur deri tash jo vetëm Mithat Frashërin dhe organizatën e tij të Ballit Kombëtar, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Patër Anton Harapin, Rexhep Mitrovicën, Fiqiri Dinen dhe Ibrahim Biçakun si tradhtarë dhe kolaboracionistë, por ajo e ka bërë një gjë të tillë edhe për figurat e rezistencës, si Abaz Kupin dhe Legalitetin, Gani Kryeziun, Muharrem Bajraktarin etj.
Ajo i ka paraqitur të gjithë ata si tradhtarë të vendit dhe popullit të tyre dhe mbështetës të rendit borgjezo-çifligarë. I gjithë ky klasifikim, i ndërtuar mbi paraqitjen e aktivitetit të BK si lëvizje kundërpartizane dhe kolaboracioniste me fuqitë e Boshtit Fashist, bie poshtë. Ka ardhur koha për të ndërtuar një proces rivendosjeje të plotë në piedestalin e antifashizmit për grupin e dytë, një proces paralel rishikimi të rolit të luajtur gjatë pushtimit gjerman të grupimit të parë, një proces paraqitjeje reale të qëndrimit antifashist edhe të BK në periudhën e pushtimit fashist italian deri në nëntor 1943, kur filloi lufta civile e drejtuar nga PKSH dhe LNÇ.
Duhet të ndërtojmë një të Kaluar të Re, të historisë së luftës dhe procesit të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo e kaluar mendoj se duhet realizuar, jo bazuar mbi një qasje kundër antifashizmit, dhe as përmes denigrimit të pjesës nacionalçlirimtare të LNÇ/FNÇ dhe trashëgimisë që ka lënë pas në aspektin e aspiratave liridashëse, por përmes vlerësimit të të gjitha sjelljeve të aktorëve të vendosur në të njëjtin plan dhe në të njëjtat rrethana politike dhe sociale. PO ashtu, është e nevojshme të shpërbëjmë nga veprimtaria çlirimtare, aktivitetin terrorist dhe atë uzurpator të pushtetit, që i solli dëme të pallogaritshme Shqipërisë.
Problemi që ngrihet është se si duhen rehabilituar në pikëpamjen ligjore figurat e denigruara në mënyrë të padrejtë nga komunizmi dhe në çfarë përmasash mund të rehabilitohen individët e disa prej qeverive kuislinge, që kanë qenë njëkohësisht edhe etërit shtetformues dhe kulturformues të vendit, të cilët kanë pasur një objektiv shpëtues dhe shmangës ndaj goditjes së makinerisë fashiste dhe naziste? Ky është një problem që i duhet dhënë zgjidhje me ligj, shqyrtuar dhe trajtuar rast pas rasti, gjykuar ftohtë dhe varësisht rëndë- sisë së personaliteteve, dhe të ndarë sipas periudhave.
Ndaj Mit’hat Frashërit, Abaz Kupit, Gani Kryeziut, Muharrem Bajraktarit, Llazar Fundos nuk ekziston asnjë provë bashkëpunimi dhe etiketimi dhe “ekzekutimi” i një pjese prej tyre prej anës së komunistëve, ka qenë një proces tërësisht i padrejtë dhe i paligjshëm. Po ashtu, është momenti për të rinjohur me deklaratë të posaçme parlamentare At Gjergj Fishtën si Poet Kombëtar, duke i kthyer të gjitha nderet dhe gjithë ripërfshirjen në tekstet e historisë dhe letërsisë kombëtare.
Po ashtu, është momenti për të rivlerësuar ata që rikthyen institucionalisht shtetin shqiptar të vitit 1928 në vjeshtën e vitit 1943, të Regjencës dhe anëtarëve kryesorë të kabineteve ministrore. Ky proces duhet përfshirë në kuadrin e përpjekjeve për një lloj revizionimi të historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Po ashtu, kjo duhet të bëhet dhe për arsye të nevojës së rivendosjes së zërit të tyre të vërtetë, të kujtesës, që është detyruar të heshtë, në domenin publik.
Në një shoqëri të vërtetë demokratike është shumë e rëndë- sishme që kujtesat e ndryshme, rivlerësimi i bazuar dokumentar dhe me metodologji shkencore i historisë, duhet të gjejnë mundësinë për të kaluar nga sfera informale dhe private, drejt sferës publike, në mënyrë që të gjejë një pranim sa më të gjerë në shoqëri dhe në opinionin e anëtarëve të saj.
Është koha që vlerësimi i kësaj periudhe të mos bëhet me kontrastin e mësuar deri më tani, bardh e zi dhe lëvizjet antifashiste brenda gjirit të rezistencës shqiptare të marrin një trajtim zyrtar ekuivalent, duke ruajtur strikt kriterin shkencor dhe përputhjen me të vërtetën. Tipi i bashkëpunimit që realizuan anëtaret e Regjencës me ushtrinë gjermane, ka qenë para së gjithash i kushtëzuar nga nevoja për të mundur komunizmin. Në qoftë se lexohen me kujdes fjalimet e udhëheqësve të Regjencës, i gjithë objektivi i tyre ka qenë pastrimi i vendit nga ndotja e ideologjisë dhe praktikës komuniste, që rrezikonte ta çonte vendin tonë në shkatërrim.
Dhe pyetja që bëjmë ne sot është: ku gabuan ata? A nuk sollën komunistët shqiptarë të njëjtin shkatërrim të predikuar nga ekipi politik, që drejtoi Regjencën dhe qeveritë në atë sistem? Ndryshe nga vendet e tjera fqinje, në të cilat qeveritë nën gjermanët kanë kryer edhe krime për reprezalje, një pas një, në aktivitetin e qeverive indipendente dhe neutrale të Shqipërisë është regjistruar vetëm një ngjarje e tillë, që lidhet me masakrën e 4 shkurtit 1944, nga forca që kanë qenë më së shumti paramilitare, sesa të xhandarmërisë shtetërore.
Përndryshe, ekzistenca e një linje zyrtare në mbrojtje të hebrenjve, nga ana e qeverive shqiptare për të gjithë periudhën nga vitit 1939-1944, është një fakt tërësor i një linje zyrtare të mirënjohur, që nuk mund të lihet mënjanë, pa të nxitur të mendosh për ekzistencën e një autonomie të rëndësishme ekzekutive në përcaktimin e linjave të politikës së brendshme.
Ndërkohë, mbrojtja e hebrenjve, si nga qeveritë shqiptare nën Italinë fashiste, ashtu edhe nën Ushtrinë gjermane, është një meritë e spikatur dhe diferencuese nga qeveritë e njëkohshme të vendeve të tjera ballkanike nën pushtim. Mbrojtja e hebrenjve nga qeveritë nën pushtim, një fakt ky që të bën krenar sot, është një provë, se brenda elitës zyrtare shqiptare, të akuzuar deri më tani pa dallim si pjesë e mirëfilltë e makinerisë së fashizmit, paska ekzistuar një nukël i qytetëruar dhe njerëzor.
Gjithsesi, këto riklasifikime nuk duhet të na çojnë ne, në nënvleftësimin dhe aq më pak në denigrimin e luftës dhe përpjekjeve të vërteta, të sinqerta, të çiltërta të partizanëve të mirëfilltë, të rinisë antifashiste, djemve dhe vajzave që luftuan me armë në dorë për një Shqipëri më të mirë dhe një popull të lirë. Përpjekjet e tyre duhen ndarë, nderuar dhe përjetësuar, ndryshe nga vepra e udhëheqësisë komuniste, që e futi Shqipërinë në rrugë pa krye pas luftës.
Në përfundim të luftës në Shqipëri, pas mbërritjes së partizanëve në qytetet kryesore të vendit, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Gjakovë, Prizren, etj., u ndërtua një regjim brutal dhe në pjesën e civilizuar të shoqërisë shqiptare nuk ka pasur një gëzim të vërtetë dhe të lirë. Regjimi që u instalua nga komunistët rezultoi edhe më represiv sesa ai që kishin ndërtuar në vend Italia fashiste dhe posaçërisht Regjenca shqiptare në kohën e mbisundimit të Wehrmacht-it.
Objektivi kryesor i komunistëve ishte marrja e pushtetit dhe shkatërrimi i bazës humane të rezistencës kundër ardhjes së tyre, që u përvijua gradualisht në shoqërinë shqiptare. Pushkatimet pa gjyq dhe proceset gjyqësore kundër “armiqve” kanë qenë të drejtuara kryesisht kundër klasave civile të shoqërisë. Përveç procesit të hakmarrjes, objektivat e komunistëve që në procesin çlirimtar dhe në periudhën që vijoi kanë qenë ato të ndryshimit të strukturës shoqërore dhe ekonomike tradicionale, përmes konfiskimit të pronës private, përfshirë edhe tjetërsimin e pasurisë intelektuale të pothuajse të gjithë elitës drejtuese pararendëse.
Pjesa më e madhe e arritjeve të arsimit, të shkencës, të kulturës, letërsisë, botimeve, teksteve shkollore u fshinë nga qarkullimi. Bibliotekat private u grabitën dhe një pasuri e tërë në dorëshkrime e studiuesve, në pjesë më të madhe, u vodhën dhe u tjetërsuan në autorësi. Një elitë e re do të krijohej, po për ta formuar atë, do të duheshin disa dekada dhe mbi të gjitha korniza e vendosur, do ta lindte atë me gjymtime teorike dhe metodologjike të fillesës.
Procesi përmbyllës i kësaj periudhe thyerjeje është themelimi i Republikës Popullore të Shqipërisë në vitin 1946, prej këtij grupi komunist të partizanëve, të cilët e fituan luftën falë mbështetjes perëndimore. Udhëheqësi i tyre, Enver Hoxha, hoqi dorë nga të gjitha interesat e shqiptarëve që jetonin në Malin e Zi, në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, për të ruajtur pushtetin e tij dhe për t’u izoluar plotësisht në shtetin komunist, në kufijtë e para Luftës së Dytë Botërore.