Nga Arben Vata
Sali Berisha dhe Edi Rama, ndonëse dy politikanë me diferencë moshe 20 nga njëri tjetri, janë thuajse në metrat e fundit të karrierës së tyre politike. Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen pas humbjes në 2013 duke lënë të kuptohet se nuk do të kërkojë të jetë më në drejtimin e PD apo të një qeverie të drejtuar prej saj.
Edi Rama nga ana tjetër, ka deklaruar shpeshherë se nuk është politikan porse në politikë ka hyrë për një mision. Kur nuk ka kaluar as 6 muaj nga mandati i dytë qeverisës, Rama duket thuajse në fund të shkëlqimit të tij politik. Ndaj edhe mbyllja e këtij mandati në krye të qeverisë është e shumta që ai mund të përballojë.
Nisur nga fakti se Berisha ishte në ditët më të errëta (1997) të karrierës së tij politike dhe u ngrit në zenit në vitin 2005; nisur edhe nga fakti se Rama arriti të marrë drejtimin e PS brenda pak viteve duke nisur si anëtar i thjeshtë i PS, është e vështirë të arrish në një përfundim të tillë, sipas të cilit këta politikane nuk do të angazhohen apo ringrihen sërish në majat e politikës.
Pavarësisht kësaj, Berisha dhe Rama do të mbahen mend prej shqiptarëve për dy gjëra kryesore ; për dy shenja që ata kanë lënë në TRUPIN E SHQIPËRISË ; njëri RRUGËN E KOMBIT dhe tjetri KANABIZIMIN e vendit. Ka një numër të madh mbështetësish të secilit politikan që mendojnë të kundërtën apo edhe që rendisin gjëra të tjera. Për Berishën psh lejimin e aktivitetit të skemave piramidale dhe krizën e 1997, tragjedinë e Gërdecit apo ngjarjen e 21 janarit, integrimin e Shqipërisë në NATO, heqjen e regjimit të vizave me vendet e hapësirës Schengen, etj etj. Apo për Ramën mund të rendisin çlirimin e Tiranës nga ndërtimet pa leje, ndërtimin e shesheve të reja në qytete, detyrimin për pagimin e disa taksave dhe detyrimeve, reformën në drejtësi, deklaratat për bashkimin kombëtar, rikthimin e propagandës si formë e qeverisjes, kontrollin e mediave, rikthimin e simboleve të komunizmit, zbrazjen e vendit, mbushjen e burgjeve me të varfër, etj.
Për të gjitha këto është folur dhe ka debate pro dhe kundër sa të duash. Por ato që do të mbeten në Trupin e Shqipërisë edhe kur këta politikanë të mos jenë më janë Rruga e kombit si një shenjë e bukur e Shqipërisë natyrale dhe kanabizimi, si një njollë e turpshme dhe me pasoja të mëdha.