Policia e Shtetit jep informacion për gjendjen e disa rrugëve në vend ndërsa ka kaluar në gatishmëri të përforcuar. Si pasoje e intensitetit të lartë të reshjeve të shiut, aksi rrugor Kardhiq -Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rruge tek pika e Viroit.
Aksi Fushë Krujë-Laç kalohet me vështirësi pasi përballë lokal Arbëria në Fushë-Krujë ka dalë lumi në rrugë.
Rruga e Ndroqit për në Durrës tani është drejt bllokimit për shkak të ujit që po bllokon rrugën në disa pika.
Të dyja krahët e autostradës Tiranë- Durrës janë të pa kalueshme.
Nga Durrësi për të ardhur në Tiranë drejtuesit e mjeteve të qarkullojnë në aksin Durrës-Vorë-Rinas-Laknas-Kamëz.
Akset e tjera për momentin janë të kalueshme pa probleme. Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar.
Të gjitha Repartet e FNSH, Tiranë, Shkodër e Fier janë angazhuar në mbështetje të Policive lokale për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë. Policia Rrugore është 100% në rrugë në të gjitha akset rrugore.
Policia e Rendit ka shtuar patrullat të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.
Policia e Shtetit po bashkëpunon ngushtësisht me Emergjencat Civile, Ushtrinë, Zjarrfikësit dhe ARRSH për të menaxhuar situatën.