Paga mesatare në shtet në tremujorin e dytë të vitit shënoi rritjen më të lartë së paku që nga 2014-a. Sipas të dhënave të INSTAT paga mesatare ne sektorin publik shënoi 60 500 lekë në tremujorin e dytë të vitit, duke u rritur me 7 për qind në krahasim me tremujorin e parë të vitit.
Rritja neto ishte 4 mijë lekë dhe erdhi si rrjedhojë e vendimit për rritjen e pagave në sektorin publik pak para zgjedhjeve të qershorit 2017.
Për shkak të politikave të ashpra të konsolidimit fiskal ku buxheti i shtetit u përfshi në masa kursimi të rrepta, pagat në sektorin publik mbeten në vend për disa vite. Madje të indeksuara me inflacionin ata shënuan për herë të parë rënie vitin e kaluar.
Pas një periudhe të gjatë stanacioni, qeveria vendosi vitin e kaluar të rifillojë stimulin për administratën publike, ku përfituesit më të mëdhenj ishin punonjësit e arsimit dhe te shëndetësisë.
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror (buxhetor) gjatë vitit 2013 ishte 52.150 lekë.
Nga të dhënat e fundit fiskale të azhurnuara nga Banka Botërore, Shqipëria në raport me PBB ka shpenzime mjaft të ulëta për mbrojtjen sociale (pensione, pagesë papunësisë dhe asistence sociale) dhe për pagat e punonjëseve publikë.
Nivelin më të lartë të shpenzimeve buxhetore për paga dhe pensione në rajon e ka Maqedonia me rreth 46% të totalit të shpenzimeve, ku rreth 12% shkojnë për pagesat e punonjësve në administratën publike dhe rreth 13% e PBB shkojnë për paga dhe pensione, pjesa tjetër më shumë se 10% shkojnë për shpenzimeve kapitale.
Më 2016, niveli i pagës mesatare bruto shënoi ulje vjetore me 2.1%, pas një rritje që kishte pësuar më 2015.
Po sipas INSTAT në vitin 2016 kaluar edhe pse numri i të punësuarve ka shënuar rritje paga mesatare në ekonomi ka rënë. Paga mesatare mujore bruto ishte 45 845 lekë më 2016 në raport me 46 830 lekë që ishte më 2015.