Gara e Bashës në PD është një proces shumë më i gjerë sesa optika primare që paraqitet. Kjo garë për vetë situatën dhe karakteristikat është një proces shumë i rëndësishëm, sepse po zhvillohet në rrethana të caktuara kohore me një tendencë të hapur për ndarje brezash e mentalitetesh. Jemi përballë një situate politike në Shqipëri shumë të rrezikshme për mijëra të rinj, të cilët edhe pse me talente rrezikojnë të mbeten njëherë e përgjithmonë të përjashtuar nga vendimmarrja dhe nga mundësia për t’u bërë pjesë e elitës politike.
Realiteti aktual shqiptar është i tillë që nga njëra anë kemi Ramën, që ka një pushtet absolut dhe nga ana tjetër kemi betejën ku po kalon PD-ja mes dëshirës për t’u rinovuar dhe forcës për ta mbajtur peng. Rama nuk ka nevojë për djem e vajza të talentuar, sepse ai nuk është i interesuar për meritokraci. Modeli i Ramës të bërit politik është jashtë llojit të intelektualëve. Kjo vërtetohet fare lehtë duke parë vetëm listat e tij në 2013 dhe tani në 2017. Prandaj, djemtë e shkolluar dhe të talentuar janë të tepërt te modeli i Ramës.
Në këtë histori të aktualitet politik kemi mijëra të rinj që nuk e gjejnë vetën në realitetin e sotëm politik dhe rrezikojnë të mbeten përgjithmonë jashtë vendimmarrjes dhe të mos bëhen kurrë protagonist të politikës.
Procesi ku është përfshirë PD-ja edhe pse është shumë i vështirë, ai duhet të konsiderohet një mundësi reale që të rinjtë të bëhen pjesë e këtij procesi dhe të kthehen protagonist në politikë dhe vendimmarrje.
Procese si ky që është përfshirë PD-ja ndodhin njëherë në 20 vjet, e ndodh si pasojë e një konsumimi të natyrshëm të lidershipit ekzistues dhe nevojës urgjente për lidership të ri, që nuk mund të jetë menjëherë fitues, por do të jetë faktor i aktualitetit dhe një garanci për jetëgjatësi dhe për fitoret e radhës. Unë, garën e Bashës e kam konsideruar një garë dhe një betejë mes të resë e të vjetrës. Është fat për politikën shqiptare dhe për shumë të rinj që Basha ka vendosur të bëj këtë garë, e cila do të shoqërohet me rinovim elitash e për rrjedhojë me nevojën për prurje të reja dhe për kontribute të reja. Ky është një rast i jashtëzakonshëm për shumë të rinj me bindje të djathta dhe jo vetëm. Koncepti i PD-së që nga origjina e saj ka qenë ose duhet të ishte shumë më i gjerë sa u krijua në këto vite tranzicioni.
Pse unë jam me Bashën dhe pse çdo i ri duhet të jetë me të?
Së pari, unë i shkolluar në Perëndim nuk kam se si te jem kundër një personi që ka një formim të ngjashëm me timin. Kam qenë dhe jam pro të shkolluarve në Perëndim dhe këtë e kam thënë vazhdimisht. Si do që të jetë modeli Basha është e sigurt që do të jetë më i mirë se modelet e tjera dhe këtë e ka dëshmuar në mënyrën se si e koncepton ai votën e lirë dhe zgjedhjet. Basha ka pasur mundësi të blejë vota ashtu siç bën të tjerët, por ai nuk e bëri as në zgjedhjet lokale e as në zgjedhjet parlamentare. Ky është një detaj shumë i rëndësishëm për të gjithë ata që besojnë në zgjedhjet e lira, në demokracinë dhe në nevojën e transformimit të Shqipërisë nga anadollakë në europianë.
Beteja e Bashës është mundësia reale e vetme për rotacion elitash e rinovim të PD-së. Momenti që po kalon PD-ja aktualisht është i ngjashëm me momentin historik të themelimit të saj. PD-ja me Bashën po rithemelohet dhe ata që do e mbështesin tani në këto momente dhe që do të angazhohen politikisht duke u sakrifikuar për kauza të rëndësishme, do të jenë bërthama dhe shtylla e PD-së dhe protagonist të politikës shqiptare për vitet e ardhshme. Ky është moment shumë i rëndësishëm për ne të rinj që të bëhemi pjesë e politikës dhe të jemi protagonist të vendimmarrjes. Nëse Basha nuk do e vazhdonte betejën e tij për kreun e PD-së, historia jonë dhe mundësia jonë reale me qenë pjesë e PDsë do të mbyllej njëherë e përgjithmonë.
Beteja e Bashës në PD ka dy kuptime:
Së pari, është beteja e tij për t’u rikonfirmuar si lider i PD-së. Kjo betejë nuk sjellë asgjë të keqe për PD-në dhe për Shqipërinë, sepse Basha është një djalë tashmë i afirmuar në politikë dhe me përgjegjë- si drejtuese institucionale. Ai mbetet modeli më pozitiv në realitetin aktual të PD-së dhe politikës shqiptare.
Së dyti, si pasojë e garës së tij për lider është hapur një proces shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në PD, hapja e saj për prurje të reja dhe realizimi i procesit të plotë të rinovimit.
Basha sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje reale. Sulmet kundër tij nuk janë të sinqerta dhe nuk pasqyrojnë realitetin tonë. Basha po sulmohet nga disa të vjetër, të cilët në orët e fundit të tyre në mënyrë të dëshpëruar duan të mbajnë peng PD-në duke e kthyer pronë private. Nuk është Basha ai që e ka bërë pronë private PD-në, por janë pikërisht të vjetrit që kanë ende iluzione se do të mbeten protagonist të përjetshëm, por kanë harruar faktorin kohë që mbyll kapituj të vjetër me njerëz të vjetër dhe hap kapituj të rinj me njerëz të rinj për sfida të reja.
PD-ja duhet të ishte partia jonë e njerëzve që u sakrifikuan për idealet e demokracisë dhe për ideologjinë e djathtë. Në fillim të viteve ’90, ne nuk kishim asnjë mundësi ta bënim PD-në partin tonë. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë PD-në partinë tonë dhe ta vendosim në shërbim të qytetarëve. Kjo mund të bëhet e do të bëhet vetëm duke u bërë pjesëmarrës në procesin e rinovimit të PD-së dhe duke mbështetur Bashën si lider të saj.