Qeveria ka caktuar edhe këtë vit 3 mijë lekë për secilin nga 610 mijë pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara si shpërblim për festat e fundvitit. Në Aktin e dytë Normativ, me të cilin po ndryshohet sërish Buxheti i Shtetit, që u prezantua dje në komisionet e Kuvendit, thuhet se të ardhurat buxhetore janë me tejkalim rreth 4.5 miliardë lekë, nga planifikimi fillestar. Krahas financimeve për investime apo shpenzime të tjera, është parashikuar që edhe këtë herë të jepet një shifër pak a shumë simbolike për kategoritë e popullsisë që kanë më pak të ardhura nga të tjerët.
“Janë 1.8 miliardë lekë që janë mbledhur më shumë nga kontributet e sigurimeve shoqërore. Këto fonde do të shkojnë të gjitha për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit“, tha ministri Arben Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Me këtë shifër, prej afro 13.5 milionë eurosh, të ndarë në mënyrë të barabartë, del që secilit prej pensionistëve apo personave me aftësi të kufizuara do t’u jepen 3.000 lekë, pa prekur rezervat buxhetore. Kjo rritje shkon tërësisht për bonusin e pensionistëve, me një efekt neutral për buxhetin e shtetit, sqaroi ministri, duke shtuar se bonusi mundësohet nga performanca e lartë e administratës fiskale në mbledhjen e kontributeve gjatë periudhës janar-nëntor 2017.
Në këtë mënyrë, qeveria Rama 2 vijon traditën e shpërblimeve të fundvitit nga buxheti i shtetit, që e ndërmorri për herë të parë qeveria Nano, me 5.000 lekë të reja. Ndërkohë, në fund 2005 qeveria Berisha nuk e vazhdoi për një vit atë, duke e ripërtërirë më 2006, por me vetëm 2.500 lekë. Edhë qeveria Rama 1 e nisi pa shpërblim vitin e parë të mandatit, në kuadër të fushatës së kursimeve për të ulur borxhin e madh publik të akumuluar. Por kanë qenë sidomos vitet elektorale ato që kanë detyruar Ekzekutivin të lirojë qesen. Ndërkohë që sivjet si arsye paraqitet fakti që të ardhurat janë rritur tej parashikimit në fushën e ndihmave sociale.
Shpërblimi do të duket i papërfillshëm për pensionistët, por në një familje ku dy anëtarë marrin pension shifra fillon të duket më e pranueshme për shpenzimet e festive.
Pagat
Por, ndërkohë që këtë vit u siguruan si pensionet, ashtu edhe shpërblimet, qeveria është e shqetësuar për situatën në këtë drejtim gjatë viteve që vijnë. Duke folur në mbledhjen e radhës të Këshillit të Investimeve, kreu i Financave Ahmetaj deklaroi se ka prezencë të informalitetit në shumë sektorë të ekonomisë, ku konkurrenca e pandershme dhe shmangia e taksave kryesisht vazhdojnë të jenë prezente. Ministri Arben Ahmetaj deklaroi se pensioni i mijëra qytetarëve që punojnë në privat po cënohet për shkak se biznesi, veçanërisht ai i madh, nuk deklaron pagat reale. Lidhur me këtë problem, ai tha se do të zhvillohet një takim, ku do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Rama. “Do të bëjmë një takim me kryeministrin, ku në fokus do të jetë korrektimi i bizneseve të mëdha, për të ftuar që të vetëkorigjohen pa penalitet, që të nxjerrin në dritë pagat e punonjësve”. “Imagjinoni një kompani e madhe që deklaron ekonomistin me 27 mijë lekë. Kjo është e papranueshme”, tha Ahmetaj edhe pak ditë më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, 42 për qind e pagave të deklaruara nga biznesi i madh janë nën 30 mijë lekë. Kreu i Financave tha se ky nivel pagash nuk i përgjigjet situatës pozitive në tregun e punës. Sipas tij, në katër vite janë krijuar 200 mijë vende të reja pune. Ministri Ahmetaj i ka bërë thirrje biznesit të deklarojë me vullnet pagat reale, në të kundërt qeveria do të ndërhyjë me masa ligjore. “Bashkë me kryeministrin, do t’i bëjmë thirrje biznesit të madh që të korrigjohet. Pastaj, nëse nuk do ta bëjnë, ligji ka instrumentet e veta”, tha më tej ai.
Reforma
Por problematikën e krijuar në fondet e pensioneve nuk duket se e ka zgjidhur reforma e ndërmarrë vitet e fundit. Në skemën e Sigurimeve Shoqërore, në fund të vitit 2016, të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit psh mbulonin vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Deficiti i degës së pensioneve të fshatit ka rezultuar 8.2% më i lartë se një vit më parë. Për vitin 2016 rezultuan 53.168 kontribuues fizikë të siguruar, ndërkohë që në vitin 2015 ky numër ka qenë 89.572 persona.