Kryeministri Edi Rama teksa ishte i pranishëm në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë theksoi se qeveria do të mbështesë me fonde këtë sektor.
Kreu i qeverisë tha se qeveria nuk jep lëmosha por financon suksesin, ndërsa nënvizoi faktin se çmimi nuk caktohet nga shteti, por vet tregu. Mes të tjerash ai tha se shteti do t’u ofrojë ndihmë të gjithë fermerëve që janë të bashkuar si dhe atyre që prodhojnë produkte që nxisin rritje të eksportit.
“Shteti nuk është këtu për të shpërndarë lëmosha, dhe për të thërrmuar ato fonde të pamjaftue4shme që ka në dispozicion. Është këtu që përmes atyre fondeve të zgjerojë të ardhurat. Të gjitha ato që shohim dhe diskutojmë në këtë sektor na tregojnë shumë qartë se për shumë vite është nguruar në mos nuk është mëndur fare ato probleme që përsëriten. Duhet të përmbyllim përfundimisht ujitjen dhe kullimin. Është fatkeqësi politike që mbas çerek shekulli ne jemi pas. Besoj se duhet të bëjmë shumë më tepër për të bërë të qartë se pjesa që shteti financon drejtpërdrejtë është vetëm njëra nga mundësitë. Me këtë pjesë ne do të financojmë vetëm ato kultura që janë identifikuar si kultura me dobi në funksion të suksesit. Kush kërkon financim duhet të ndjekë këtë politikë; shtetit nuk mund të detyrojë që të mbjell atë që ai dëshiron, por do të imponojë që të mbillen ato kultura që rrisin eksportet dhe sjellin fitime. Do fuqizojmë politikën për financimin për ata që janë bashkuar në shitje. Nëse nuk bashkohen në shitje, fermerët do të vazhdojnë të vuajnë diversionin e çmimeve dhe pafuqisë për shkak të vetmisë së tyre. Ne mund t’i marrim financimet e BE në letër dhe do të rrezikojmë që të vijojnë të mbeten në letër nëse nuk aplikojmë me sukses ato fonde. Nëse ne do të arrijmë me sukses përpjekjet që kemi nisur për të përfshirë universitetin Bujqësor në këtë proces, për të dhënë dije, për të vazhduar vazhdimësinë për të krijuar kushte me shumë burime, do vëmë bazë të rëndësishme në këtë sektor.”, tha Rama.