Maxhoranca ka rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta në lidhje me tarifat gjyqësore. Dje u bënë publike arsyet se përse Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim ligjin për tarifat gjyqësore, ndërsa sot pas diskutimit në Komisionin e Ligjeve, 10 deputetë të maxhorancës votuan kundër dekretit. Ndërsa 5 deputetë të PD-së dhe LSI-së votuan pro dekretit të Metës.
Në dekretin e Presidentit Meta arsyetohej se vendimi për rritjen e tarifave nuk ka ardhur pas një studimi të thelluar në këtë fushë.
“Niveli i tarifave, i parashikuar në këtë ligj është bërë në mungesë të një studimi të thelluar dhe, në krahasim me tarifat e sotme, ka një rritje drastikedhe të menjëhershme të tarifave, gjë e cila paraqet rrezik të lartë për vështirësimin e aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë”, thuhet në dekretin e Presidentit.
Gjatë debateve në Komisionin e Ligjeve, deputeti socialist, Bashkim Fino tha se nuk ka rritje të tarifave gjyqësore në projektligj.
“Dekreti i Presidentit është i pabazuar për të bërë ndryshime në projektligj. Si relator propozoj që ta rrëzojmë dekretin dhe të mbajmë variantin që kemi paraqitur në Parlament”, u shpreh Fino.
Ndërsa Partia Demokratike u shpreh pro dekretit duke theksuar se rriten tarifat që do të paguajnë qytetarët në gjykata.
“Tarifat rriten nga 10 fish, në 100 fish. Ky ligj është pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, të cilën e donin 95% e shqiptarëve, por nuk besoj se ata ishin pro rritjes 100 fish të tarifave. Deri më sot apelimi i çështjeve është 200 lekë, tani bëhet jo më pak se 20 mijë lekë. Ky ligj bëhet për t’i rrjepur lëkurën qytetarëve”, u shpreh PD.
[frontpage_news widget=”28067″ name=”Postimet e fundit”]