Një tjetër emër i shtohet listës së kandidatëve në garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. Kandidati i shtatë për këtë post është Artur Selmani, Prokuror në Gjykatën e Lartë.
Ai ka dorëzuar dosjen e aplikimit në Kuvend, vetëm 30 minuta përpara përfundimit të afatit zyrtar.
Mësohet se Artur Selmani ka qenë në grupin e prokurorëve të çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit.
Me përfundimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, vijojnë edhe kandidaturat për postin e kryeprokurorit të përkohshëm.
Deri më tani kanë aplikuar Ferdinand Elezi, Arta Marku, Arqile Koca, Besnik Muçi, Granit Shahu, Ermira Tafani.
Kuvendi ka bërë të ditur se gara është e hapur deri të martën në orën 18:00, kur mbyllet edhe afati i aplikimeve.