Dosja e Saimir Tahirit duket se është lënë në harresë nga Prokuroria. Edhe pse Gjykatës së Krimeve të Rënda ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, t’i ndalohet dalja jashtë Shqipërisë ajo që vihet re në provat e paraqitura nga ana e saj, është fakti se pas javësh të tëra hetimesh, nuk ka asnjë provë të re.
Prokuroria kur kërkoi arrestimin e Saimir Tahirit, deklaroi se ka prova të forta dhe të bujshme. Por, kur ka kaluar më shumë se një muaj, nuk ka dalë asnjë provë e re kështu Prokuroria duket se është duke e zvarritur këtë çështje, për të bërë zhurmë me emrin e Saimir Tahirit, shkruan TemA.
Fillimisht duke e lidhur atë me arrestimin e Sotës, pastaj duke kërkuar që t’i ndalohet dalja jashtë Shqipërisë, gjë që fillimisht nuk e kërkoi.
Këto janë provat e paraqitura sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga ana e Prokurorisë, mes tyre edhe pranimi i kërkesës për bllokimin e pasaportës së Tahirirt.
E ndërsa për kërkesën e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit, gjykata shkruan në vendim se mbi shtetasin nën hetim ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen prej tij të veprave penale me të cilat procedohet.
Po ashtu në vendim shkruhet se të dhënat e marra nga përgjimet e Habilajve sipas të cilave flitet shlyerja e një borxhi ndaj shtetit, blerja e sendeve me vlerë të të afërmit, sasia e eurove gjetur në mjetin e biznesmenit etj, çmohen nga gjykata të afta për të provuar dyshimet e përfshirjes së shtetasit nën hetim Saimir Tahiri në veprimet kriminale të trafikimit të narkotikëve në formën e grupit të strukturuar.