Nga Blerti Delija
Praktikisht dalja nga Kupa e Shqipërisë i jep fund ëndrrës europiane të Vllaznisë. Objektivi kryesor i kuqbluve për të arritur në Europën e futbollit, është shuar pëmes një fitoreje minimale në Shkodë me Tiranën qe vjet e hodhëm një kategori më poshtë pikërisht në “Loro Boriçi”. Duke parë ecurinë e mbijetesës në Supërligë, zyrtarisht sot i themi “lamtumirë” mundësisë për të luajtur në Kupat e Europës. Pas këtij dështimi të paralajmëruar të rradhës, është momenti që dikush/disa të mbajnë përgjegjësi.
Nëse do të flasim për paratë e akorduara dhe të keqpërdorura (bazuar në rezultate) të taksapaguesve shkodranë, duhet të diskutohet në terma të qartë: Bashkia Shkodër ka akorduar qindra miliona lekë por pa arritur të sjellin kenaqësinë tek tifozeria shkodrane! Është folur shpesh për privatizim, dështim të administrimit shtetëror, por milionat e dhëna nga 2011 janë argument kokëfortë: Me paratë e Vllaznisë do të ishin “mbyllur shumë bira” në një qytet me mjaft nevoja si Shkodra. Megjithatë, nga viti ne vit, çdoherë është premtuar një Vllazni kompetitive. Këtë sezon u shkarkua edhe traineri me shpresën e ringritjes, iku Cungu dhe erdhi Gjoka. Faktet sërish janë kokëforta dhe përgjegjësinë direkte për eleminimin e Vllaznisë e mban Gjoka. Ai duhej të bente kthesën e shumëpritur, ai duhj të ringrinte Vllazninë qe “dergjej” ne duart e Cungut, sipas specialitëve të paktën. Justifikimet e pritshme lidhur me kontigjentin e lojtarëve në dispozicion, gjendjen e rënduar psikologjike të ekipit etj., nuk “pijnë ujë”. Aq më tepër, kur pavarësisht emrit të madh, na elemonoi nje ekip i një kategorie më poshtë, të cilin vjet e rrëzuam ne.
Nëse do te ishte shpenzuar gjysma e buxhetit vjetor të Bashkisë Shkodër për Vllazninë, por ajo të ishte deri në fund “në lojë” për titullin apo Europën, qindra miliona lekë për shumicën e shkodranëve, do të kishin vlerën e qindarkave në xhepat e gjithsecilit. Por përveç ketij dështimi të stërkonfirmuar tanimë, kemi edhe mungesën e theksuar te kënaqësisë për tifozët. Nuk ka një ndeshje të vetme ku tifozët të kenë dalë të kënaqur nga stadiumi, në Shkodër apo jashtë. E përveç kësaj, taksapaguesit shkodranë po paguajnë nga 2011 e këtej miliona lekë për “limona të shtrydhun” që na paraqiten si “blerje të bujshme” dhe që do të “garamtojnë” një Vllazni ndryshe nga një sezon më parë. Nga ana tjetër, edhe pse prodhojmë talente ne U-17 dhe U-19, ata nuk kanë vëmendjen dhe hapësirën e duhur. Unë jam nga ata, që duke qënë edhe pjesë e Vllaznisë për rreth 3 vite, kam mbrojtur idenë se talentet e Akademisë, nuk mund ta ngrejnë Vllazninë në nivelin e pretendentëve për titull apo Kupat e Europës. Mirëpo, nëse duam ta shohim edhe si biznes, sot jam i bindur se një Vllazni, qoftë edhe me të gjithe përbërjen nga Akademia, nuk do të bënte më keq se Vllaznia që sot u eleminua nga Tirana. Madje, jam i bindur se nje rënia një kategori më poshtë e kuqbluve me përbërje nga Akademia, është më e preferueshme se një mbijetesë me “emra premtues” dhe me kosto qindra miliona lekë për xhepat e shkodranëve.
As nuk po lodhem të flas për skema apo zgjidhje të situatës, që sipas gjasave do të përsëritet edhe sezonin tjetër e me rradhë. Por do të ishte mirë, madje shumë mirë që Bashkia Shkodër të bënte një provë: Nëse shpëtojmë sivjet nga rënia një kategori më poshtë (uroj të shpëtojmë!), të provojë një Vllazni “made in Shkodra” me vetëm lojtarë të Akademisë! Suksesi i parë besoj se do të ishte rikthimi i tifozëve në shkallët e “Loro Boriçi”. Me “lojtarin e 12-të” në fushë, Vllaznia do ta ketë më të lehtë përballë çdo kundështari, sidomos në Shkodër. Kjo alternativë, meqenëse Bashkia Shkodër e ka ndarë mendjen ta mbajë Vllazninë të paktën deri në…verën 2019! ©ShkodraWeb