Aktori Arben Dërhemi aktualisht është i angazhuar në prova për shfaqen teatrale në dramën “Në Lindje të Berlinit” e cila do të vihet në skenë me regji të Milto Kutalit.
Në këtë dramë, Dërhemi do të ketë rolin e Rudit. Ndërsa ai ka folur për rolin e tij dhe punën që po bën për këtë dramë, ka akuzuar edhe punën e bërë nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, lidhur me teatrin.
Në një intervistë të dhënë për “Report TV”, Dërhemi u shpreh: “Do t’i ofrojmë një vepër, që është punuar me dashuri dhe seriozitet të jashtëzakonshëm. Punojmë dhe kalisim durimin si në teatër, ku s’ka salla, s’ka asgjë”.
Më tej dërhemi është shprehur: “Problemi është se gjithçka shkon në vesh të shurdhër, nuk e di çfarë duhet të bëjmë më. Një ministre, që rri katër vjet, nuk ka bërë asgjë, nuk ka luajtur as gishtin për teatrin në përgjithësi, vjen dhe vihet prapë ministre, pastaj nuk ka kuptim që të diskutojmë më, se unë nuk kam çfarë diskutoj më me të. Një njeri që nuk ka bërë asgjë për teatrin, njeri që nuk ka bërë asgjë për statusin e autorit, për të ardhurat tonë, ne jemi tre herë më keq se pesë vjet më parë”.