Nga Besi Bekteshi
Një “xhevahir njerëzor” i madh politik, si kryetari i PDSH-së tashmë po bën mbrojtjen e fundit të “bunkerit” i ngritur nga “deliret politike” kundër demokracisë dhe ligjit – pikërisht në demokraci. Njerëz të cilët tashmë kuptohet se janë absolutisht të mbushur plot e për plot me “kanabisin e krimeve në pushtetet okulte dhe korruptuara” që kur thoshin dikur “Lazarati ishte vendim politik full stop” – krejtësisht haptas, kanë nisur ashpër luftën kundër ambasadës amerikane dhe asaj evropiane. Tashmë, për rënien e bunkerit të fundit të paligjshmërisë më të ashpër në demokraci, ose Prokuroria e Përgjithshme e komanduar nga individi dhe modeli më politikisht i përdorur në këtë vend – erdhi fundi. Edhe diktatura kishte më standarte në sipërfaqe, se sa kjo lloj prokurorie dhe ky lloj Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë. Në këtë vend, kujt nuk i bie të luajë rolin e Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit për të keqen e madhe të shqiptarëve – por ky është një “muhabet” tjetër! Sot si doktori i famshëm, pastaj Lulzim Basha dhe pastaj krerët e LSI-së dhe biles edhe perëndimori i “Libra-s” por dhe një pakicë e vogël ose shumë e vogël e “analistëve” anti Rama – po sulmojnë Donaldin jo Trump, por Lu, për prokurorin Llalla. Kanë vetëm një mënyrë për të shpëtuar dhe kjo është sabotimi dhe mos votimi. As bashkë nuk mund dhe nuk duan ta zgjedhin dhe “nuk gjejnë dot në kushtet e sotme një Llallë tjetër”. Të përkohshmin s’e duan se e dinë qartë se çfarë ndodh dhe…! Duke mos votuar të përhershmin nuk bëhen 84 vota dhe kështu produkti duhet të dalë si propozim i doktorit dhe të gjithë lidershipit anti perëndimor – e që duhet ta votojë pastaj PS-ja e 74 votave. Tani po ju thuhet si amerikanëve dhe evropianëve, mbasi i shanë si persona ambasadorët – mos të fusin hundët në Kushtetutën e Shqipërisë. Kush ja thotë? I pari Lulzim Basha që deklaron: “Nuk komentoj dhe s’kam komentuar asnjëherë ambasadorët e huaj. Nuk e kuptoj dhe imagjinoj që një ambasador i huaj të këshillojë Kuvendin që të votojë diçka në shkelje të Kushtetutës. Kjo do të ishte thikë pas shpine që do i bëhet Reformës në drejtësi”. Kush e thotë këtë gjë? Pikërisht ai që ka thyer sa e sa herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe ka çuar nga humbja në humbje partinë e tij, ose më mirë atë pronë të Sali Berishës, të cilën me paudhësitë e mjeshtrit të tij dhe sidomos të vetat, e ka mbledhur sa një grusht. Ky person pra, që ka bërë marrëveshje me Ramën dhe i bërtet popullit dhe njerëzve nga të katër anët e vendit pse kanë bërë marrëveshje me Ramën. Ky u dashka të marrëvesh-shtrohet me Ramën, kurse njerëzit mos të “marrëvesh – votojnë atë”! Po ku ka më delir dhe marrëzi më të madhe se sa kaq?! Pastaj krimi, droga, korrupsioni, a thua se shkuan njerëzit te Rama dhe jo Luli! Po kujt ja thotë ky farë burri këtë marrëzi dhe këto kalamallëqe deri në delir donkishotesk?! Tani, si këtij dhe mjeshtrit të tij ia kanë fajin ambasadorët pse po largojnë Llallën dhe “nuk dashkan të zbatojnë” Kushtetutën e Shqipërisë. Tani jua ka fajin ambasada e USA dhe ajo e UE në Tiranë.
Mbrojtja e bunkerit të fundit të paligjshmërisë dhe aspak ndëshkimit të krimit dhe mafies – i cili ka vite, por me kryebunkeristin Llalla, është bërë një tragjedi ligjore dhe antidemokratike në Shqipëri që po i vjen fundi! Nga ky bunker janë mbrojtur vrasës politikë, që kanë shkaktuar tragjedi njerëzore të jashtëzakonshme që para viteve 1996 dhe vazhdim. Por sidomos vitet e sundimit të një Kryeprokurori krejtësisht i përdorur nga politika dhe plotësisht nga PD dhe lidershipi i saj “fashoradikalmajtist” në Shqipëri. Absolutisht po, sepse jo vetëm trashëguan metodat e PPSH-së, por dhe lajthitjet acaruese të fashos dikur, mbas marshimit të tyre me flakadanë. Një prokuror i tillë ju mbuloi krime ekonomike dhe financiare përveç vrasjeve direkte (21 janar) dhe ato indirekte nga korrupsioni masiv si në Gërdec. Nuk po them të hapte pak letra të vitit ‘97-të. Ky prokuror nuk ka hapur letra askujt dhe majtas – por e ka bërë se donte të mos “çonte pluhur” për vepra hajdutërie masive si tenderat e shumtë të rrugëve të pa kryera dhe sidomos rrugës së Kukësit.
Tashmë nuk kanë përballë më PS-në dhe Ramën, për të qëndruar në mbrojtje të bunkerit Llalla ose Prokuroria e Përgjithshme e modelit Llalla. Jo, kanë inat dhe po “vdesin nga shqetësimi” se është Lu dhe Vllahutin, por dhe dikush në Europë, që nuk duan t’ja dinë, as për Lul dhe as për Sal dhe as për LSI dhe biles as për Ben të Libra-s, që sigurisht nuk ka kurrfarë peshe elektorale si parti në krahasim me peshën e vet të shkrimtarit. Por ky bunker duhet rrëzuar. Ai është fajtor se ka qenë një mbrojtje tipike komuniste ideologjikisht dhe po ashtu politikisht, i lidershipit dhe një dore maskarenjsh të pasurish në partitë e mëdha. Duke mos vepruar Prokuroria e Përgjithshme – partitë janë mbushur me gangsterë dhe po ashtu të pasur me krime të mëdha në biografitë e tyre! Lufta e Bashës dhe disa aty është për jetë a vdekje, se e dinë që nuk mund të kapërcehen kaq shumë lehtë në këtë kohë.
Për më tepër kërcënojnë se do të mbledhin qytetarët dhe të rrëzojnë si qeverinë dhe mazhorancën. Në të vërtetë ato që e thonë këtë gjë – nuk janë një alternativë qytetare e Shqipërisë. Qytetarët nuk ndjekin dot mbrapa një dorë njerëzish që tashmë janë aventurierë. Si mazhoranca e sotme dhe lidershipi do të rrëzohen, por nga zullumi i tyre dhe nga zgjedhja ndryshe e popullit – por kurrë nga një parti dhe grup partish, që nuk janë alternativë dhe korrupsioni e vrasjen e kanë një “kualitet politik të tyre”. Akoma më shumë një person tepër i dyshimtë dhe pa shtyllë kurrizore të vërtetë politike dhe filozofike si Basha. Të tillë njerëz as bunkerin e Llallës nuk e mbrojnë dot më dhe jo më të bashkojnë qytetarët mbas vetes së tyre. Çdo pushtet që qëndron në kushtet e një opozite të tillë kote dhe aspak normale, mund dhe ti rritet mëndja dhe të abuzojë, sepse nuk ka alternativë normale përpara saj. Ata dhe për këtë gjë janë fajtorë, por sot është reforma e drejtësisë si një kërkesë e madhe e kohës. Vendi dhe mund të vuajë, por kjo duhet kryer me çdo sakrificë që mund të kërkojë!