Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda këtë të premte, për t’u njohur me vendimin e bllokimit të pasaportës dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit.
Tahiri mesohet se kërkoi t’i hiqet masa e bllokimit te pasaportes dhet tha që nuk “e kam problemin te masa, mund të më mbani edhe burg, por problemin e kam te principi. S’keni prova te reja, këto prova i keni pasur që në datë 20 tetor, por pse e keni kërkuar nje muaj e disa dite me vonesë kete bllokim? S’ka asnjë provë të re. Kam qene në dijeni të këtyre provave që atëherë”
Pas daljes nga Gjykata, Tahiri ka thënë shkurtimisht se do flasë shumë shpejt. Ndërsa avokati Maks Haxhia u shpreh se “Kjo gjykatë nuk është gjë tjetër, është kthyer në notere të kërkesave të prokurorisë”.
Tahiri është parë i qeshur teksa i drejtohen Gjykatës, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës Maks Haxhia, ku e priste gjyqtarja e Krimeve Liljana Baku. Në këtë seancë merr pjesë edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Gentjan Osmani. Ish-ministri pritet të dëshmojë për përgjimet e autoriteteve italiane ndaj ‘Habilajve’ të akuzuar për trafik droge, ku del në pah edhe emri i tij.
Ndërkohë, njëkohësisht, avokati mbrojtës i Tahirit, Maks Haxhia ka paralajmëruar se do ankimojë vendimin e Gjykatës. Tre javë më parë, Tahiri udhëtoi në drejtim të Gjermanisë, vizitë e cila shkaktoi mjaft polemika pasi në autorizimin e miratuar nga Kuvendi, ku nuk u lejua arrestimi, thuhej se ish-ministrit i ndalohet të udhëtojë jashtë vendit.