Nga Romeo Gurakuqi
Sot, 27 vjet pas goditjeve traumatizuese, që pësoi pushteti i PPSH-së, ende në Parlamentin e Shqipërisë, prodhohen kriza dhe ndërlikohen rrugët e ecjes në binarët e kushtetutshmërisë, së procedurave të ndërtimit institucional.
Kjo ndodh sa herë që duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor, sa herë vjen koha e mbarimit të mandatit të Kryeprokurorit, sa herë duhet të zgjidhet Presidenti i ri i vendit, duhet të rikompozohet një bord i një institucioni të pavarur, ose çdo rast që del jashtë kontrollit të pushtetit dhe partive, një skandal zëmadh si ky i fundit, që çdo ditë buçet me nga një fakt të ri.
Janë të gjitha produkte të interesave pjesore, kolektive ose individuale; janë ngërçe që prodhohen në një shoqëri, që pjesën e mbetur të popullit në territor, e ka diametralisht të ndarë me diktim partiak, në pikëpamje politike dhe e mobilizimit; është një konflikt mes disa brezash, politikanësh, pasanikësh që korruptojnë dhe korruptohen, dhe më pas priren të mbajnë nën kontrollin e tyre, ndëshkimin nga ligji, duke e adresuar këtë ndëshkim ndaj të varfërve, që faj të vetëm kanë varjen e një teli shtesë për lidhjen e energjisë elektrike. Në këtë vend, interpretimi konservator i Kushtetutës së axhustuar disa herë për interesa sa individuale aq edhe strategjike, vazhdon të ballafaqohet me bishtnimet e radikalizmit të korruptuar, herë me tendera, herë me varëse, herë me koncesione, herë me incineratorë, herë me leje hidrocentralesh shkatërrimtare për ekosistemet, herë me zaptime pronash private të paregjistruara nga një shtet përherë mungues në territoret rurale dhe periferike.
Jemi duke paguar një çmim të lartë dhe sërish brezi ynë, nuk ka arritur të rregullojë në mënyrë të përhershme Kushtetutën; nuk ka ndërtuar manualin e leximit të njësuar të Kushtetutës; ligjvënësit që kanë mekanizmin kontrollues në dorë nuk disponojnë në shpirtin dhe mendjen e tyre, formacionin e nevojshëm teorik dhe të teknikës së legjislatives për hartimin e projekteve, duke menduar nga pozicioni i opozitës, gjë që përbën një parim themelor në ligjvënie, në qoftë se duam të ndërtojmë një shtet dhe sistem të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Koncepti i paanshmërisë së institucioneve të pavarura në çdo rast konceptohet si një balancë mes palëve politike në vend që asnjanësia të lidhej vetëm me ligjin e përshkruar, me integritetin, me kulturën e përgjithshme, arsimimin dhe betimin ndaj shtetit të kandidatëve që shqyrtohen dhe piketohen.
Këto ditë, ndërhyrja e maxhorancës përmes Komisionit të Ligjeve, d.m.th përmes një strukture minore të Parlamentit, me tagrat e një drejtorie politike qeveritare në përcaktimin e linjës politike, që duhet ndjekur për konstituimin e organit të hetimit, të pas datës 7 dhjetor 2017, është një qëndrim i papërputhshëm me ekzistencën e një shteti kushtetues, të ndërtuar mbi bazën e parimit të ndarjes së pushteteve dhe qëndrueshmërisë dhe vijimësisë institucionale. Kjo sjellje erdhi duke u thelluar dje gjatë ditës dhe mbrëmjes, kur maxhoranca, me veprime të paparashikueshme dhe në tejkalimin e parashikimeve të Nenit 149-të të Kushtetutës, filloi të kryejë funksionet e Këshillit të Prokurorisë dhe të Këshillit të Emërimeve në Drejtë- si. Ngjante si një Komitet i Shpëtimit Publik në Francën e trazirave revolucionare, i yshtur në prapaskenë nga “Diktatori i Ndritur dhe i Pakompromentuar” i situatës. Madje, radikalizmi komunikativ i disa prej anëtarëve të këtij komisioni, zhvleftësonte si demagogjike dhe binte në kundërshtim, me ofertat për zgjidhje të gjithanshme të ngërçit, që vinin nga ana e Kryeministrit të vendit.
Askush nuk ka dyshim, se fryma konceptuale e ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2016 është shkelur nga vjekca e ndërtuar posaçërisht, që mban numrin 109 paragrafi 2, ligji Nr. 97/2016, ose nga të gjitha vjekcat e tjera ligjore, të cilat kanë përjashtuar profesionistët e jurisprudencës, të cilët kanë më pak se 15 vite në sistemin e drejtësisë dhe me theks të veçantë mohues për të shkolluarit në universitetet perëndimore.
Me vjekca të propozuar me paramendim, ligjvënësit e kornizës së radikalizmit majtist, kanë përjashtuar modelin e ri të të shkolluarit, atij që di jo mekanikisht jurisprudencën, por që ka edhe kulturën e nevojshme humaniste dhe strukturën mendore të formësuar në një shkollë të mirëfilltë të ligjit në Perëndim.
Në mes të Epokës së Drejtësisë së Re dhe asaj të Drejtësisë së Vjetër, pas korrikut të vitit 2016, ligjvënësit e maxhorancës, kanë krijuar një Sistem Hibrid të Drejtësisë Likuidatore të Mëkateve, të bijve të Kanabisit, të Inceneratorëve dhe Varseve me gurë të çmuar. Këtë e kanë realizuar me anën e një pjese, në pamje të parë të padukshme, të akteve ligjore në plotësim të strukturës kushtetuese të korrikut të vitit 2016. Ata nuk kanë konceptuar as një shkollë të nivelit të lartë të Magjistraturës, nga pikëpamja e kompetencës dhe kulturës së përgjithshme, aq të nevojshme për të krijuar një shpirt jo mekanik të njerëzve të drejtësisë. Jo rastësisht disa prej profesorëve më të mirë të vendit, një ditë prej ditësh, në një komision verifikues të nivelit kulturor kanë pyetur kandidatët për institucionet e drejtësisë, çfarë ata kishin lexuar nga Dostojevski, nga Hygo, nga Balzaku, nga Duma, etj., ose çfarë dinin ata nga shembulli i Falkones dhe Borselinos etj.. Nuk ishte vetëm një pyetje e rëndomtë për kandidatët, por ishte një mesazh i rëndë sfidues dhe thirrje mendjesh për Parlamentin dhe për maxhorancën drejtuese, që ende nuk e ka lexuar dot thirrjen me finesë të bërë nga profesorët e nderuar.
Prokurori dhe gjyqtari, jo vetëm duhet të jetë një profesionist i së drejtës, i pakorruptuar, besnik i shtetit dhe ligjit, i palidhur me të shkuarën e palavdishme të një drejtësie, që drekon me antishtetin dhe shndërron targetin e goditjes nga krimi në të akuzuar, por mbi të gjitha, njeriu i së drejtës duhet të jetë shembulli dhe modeli i strategjistit të së mirës publike, njeriu i lexuar dhe i formësuar me humanizmin dhe mbrojtjen e shoqërisë në nevojë, që di të vlerësojë pa hak të drejtën e parë në të gjitha aspektet.
Anshmëria e së majtës politike, asht kaq e hapur për revizionimin e frymës së Kushtetutës së korrikut të vitit 2016, sa nuk është aspak e vështirë ta vësh re se qasja taktike, që ndjek në këtë linjë, duket komike, dhe njëkohësisht po aq vrastare ndaj kuadrit institucional permanent të shtetit.
Vendi, normalisht, që nuk mund të mbetet asnjë sekondë pa prokuror dhe aq më pak me ditë pa të tillë funksionarë veprues në respekt të shtetit. Po ashtu, Shteti dhe Ligji kanë nevojë për një garanci vazhdimësie të përcaktuar me akte, të prokurorëve të Krimeve të Rënda, atyre që kanë mbajtur atë pak shtet në këmbë, në luftë me kriminelët, që blejnë varëse për politikanët dhe japin miliona për fushatat e fundit elektorale. Arsyeja e shëndoshë thërret, që brezi i ri i të diplomuarve shkëlqyeshëm dhe të doktoruarve në Universitetet e vendeve të OECD-së për jurisprudencë t’u hapet rruga e mbyllur qëllimisht nga hartuesit e ligjeve të pas korrikut të vitit 2017, për t’u përfshirë në Drejtësinë e Re, pa ngurrimet e sektarëve zbatues të legjislacionit.
Kush e pengon plotësimin e vendeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe një pjesë të organizmave kolegjialë të Drejtësisë së Re? Kush e krijoi atë teatrin me gogla në institucionin e Parlamentit, që në konflikt të mirëfilltë interesi një nga shefat administrativë të këtij institucioni, që kishte aplikuar për organet e reja të drejtësisë, hidhte vetë shortet? Kush ka përfshirë në organet e Vetingut një pjesë të komisionerëve dhe aktivistëve të PS-së, nga të cilët do varet fati i drejtësisë? Opozita? Këto vjekca janë krijuar nga ideatorët e Drejtësisë së Ndërmjetme Likuiduese.
Ka ardhur koha për një veprim të shpejtë, racional, korrigjues dhe ky korrigjim duhet të bëhet brenda muajit dhjetor të vitit 2017, në pjesën e legjislacionit të ndërtuar me ngut pas korrikut 2016.
Drejtësia e Re është interes strategjik i Shqipërisë, i aleatit tonë më të rëndë- sishëm strategjik, atij që krijoi Shqipërinë e Vjetër si shtet dhe Kosovën si vend të lirë dhe mbrojtja dhe mbikëqyrja e tij, asht fat i madh për brezin tonë, asht thirrje për ulje në tavolinë dhe tërheqje nga eksperimentet jakobiniste. Po ashtu, ky impostim strategjik asht amanet, që kemi ndaj të gjithë baballarëve tanë, atyre që sot nuk jetojnë ma, por që na mësuan të mbajmë shpresën gjallë, duke vendosur veshin çdo ditë nga Uashingtoni dhe Londra. Është një detyrim ndaj atyre, që u rrëzuan para skuadrave të pushkatimit, përmes udhë- zimeve që erdhën nga kjo ndërtesë nën diktaturë: një pushtet të vërtetë të drejtë- sisë ka ardhur koha ta kemi sërish në këtë vend, ashtu siç arriti ta krijojë Shteti i Parë Shqiptar i Etërve tanë shtetformues.
Korrigjim dhe zgjidhje emergjente dhe me shpejtësinë e pjesës që lehtëson vendosjen e procedurës së zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm në kornizën e Kushtetutës së korrigjuar në korrik të vitit 2016. Tërheqja e menjëhershme për shkak të arsyes nga skemat e Komitetit të Shpëtimit Publik që çmendurisht kërkon emërimin e një Kryeprokurori Tranzitiv.