Pas trazirave të shkaktuara në Kuvend gjatë seancës parlamentare për zgjedhjen e kryeprokurores së re, Partia Socialiste ka bërë kërkesë për përjashtimin e deputetëve të opozitës. PS ka kërkuar që ata të përjashtohen 10 ditë nga parlamenti, 10 deputetët të cilët u proceduan në gjendje të lirë një ditë më parë
Të proceduarit penalisht nga ana e PD janë deputetët Ervin Salianji, Gent Strazimiri, Edi Paloka, Klevis Balliu, Flamur Noka, Grida Duma. Ndërsa nga ana e Lëvizjes Socialiste janë Floida Kërpaçi, Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari.
Një ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se ndaj deputetëve do merren masa të tjera.
Gjatë një deklarate për mediat, Balla tha se brenda 48 orëve Byroja e Kuvendit duhet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën për përjashtimin me 10 ditë të deputetëve nga Parlamenti.
“Brenda 48 orëve Byroja duhet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën për të përjashtuar me 10 ditë deputetët që ushtruan dhunë ne Kuvend. Detyra e deputetit është liria e fjalës dhe ushtrimit të detyrës. PS po përgatit një material për hapat që do të ndërmarrë më tej. Përgëzojmë hapat e marra nga Policia e Shtetit. Rasti i Kryemadhit është i paprecedentë dhe goditja është vepër penale. Ruajtja e rendit është detyrë e Gardës së Republikës. Ne presim ndjesë nga PD e LSI për situatën e djeshme dhe jemi të shqetësuar për sjelljen e opozitës, pasi fyen shqiptarët”-tha Taulant Balla.