Anna Nordstrom, vajza e biznesmenit të ndjerë Vehbi Veliaj, ka kallëzuar penalisht në prokurori 15 gjyqtarë dhe 7 prokurorë, duke i akuzuar ata si personat përgjegjës, të cilët, duke shpërdoruar detyrën, kanë penguar dhe zvarritur në mënyrë të qëllimshme proceset ligjore që ajo ka marrë për të fituar “Dëshminë e trashëgimisë” në masën ½ të babait të saj.
Kallëzimi i shtetases suedeze i është dërguar drejtpërdrejt kryeprokurores së re Arta Marku, të cilën Anna Nordstrom e ve në dijeni për këtë çështje, njëkohësisht me drejtuesen e ONM-së Ginovefa Calavera, drejtuesen e Komisionit të “Vettingut” Genta Bungo dhe dy ambasadorët të huaj në Tiranë: Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Sipas kallëzimit, që Shqiptarja.com e disponon të plotë, mes personave të kallëzuar është dhe vëllai nga babai i Nordstrim, shtetasi Ferik Veliaj, ish-ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, ish-drejtorin e antikorrupsionit Ivi Kaso.
Shqiptarja.com mëson se, mes gjyqtarëve të kallëzuar në prokurori, janë Shkëlqim Miri, i arrestuar për korrupsion, Agim Bendo, Elona Muça etj, ndërsa mes prokurorëve janë Sokol Malaj, Besim Hajdërmataj, Enkeleda Millonaj, Daniela Sula etj. Nordstrom kërkon nga prokuroria që ndaj këtyre njerëzve të drejtësisë të nisë hetim penal dhe disiplinor.
Në kallëzimin e saj drejtuar kryeprokurores Arta Marku, shtetësja Anna Nordstrom thotë se ”…po ju drejtohemi me këtë kallëzim, për një çështje civile me objekt “Padi trashëgimie” e cila zvarritet me dashje nga ana e gjyqtarëve në bashkëpunim me prokurorët, që nuk i hetojnë për arsye korruptive të dukshme. …unë, qytetarja Suedeze Anna Vebi Nordstrom duhet të sorollatem 7 vite për një “Dëshmi Trashëgimie” të babait tim. Një veprim i tillë mendoj se nuk ndodh as në Zimbabve, Zambia apo Kongo. Madje edhe vetë ligji i xhunglës e respekton të drejtën hyjnore për të patur një nënë dhe një baba, ndërsa gjyqtarët shqiptarë kanë 7 vite që më sorollatin, duke më mohuar babanë dhe për të më vjedhur pasurinë, që lind nga e drejta e trashëgimisë…”-thotë në kallëzim vajza e Vehbi Veliajt.“Asnjëherë prokuroria e shtetit nuk ka denjuar të hetojë këtë grup gjyqtarësh të korruptuar, të cilët, jo vetëm që e zvarrisin procesin, duke u dorëhequr njëri pas tjetrit, por japin edhe vendime në mashtrim të ligjit, kur ata i detyron Gjykata Kushtetuese”-thotë më tej Anna Nordstrom në kallëzimin e saj paraqitur kryeprokurores Arta Marku.
Në fund, kallëzimin e saj Nordstrom e mbyll duke pyetur se edhe sa vite jetë duhet të humbasë për njohjen e babait të saj, të cilin ia ka njohur Gjykata Suedeze në vitin 1973, por që, në vitin 2013 e në vazhdim, ja kanë mohuar gjykatat Shqiptare, pasi janë tërhequr me dhjetëra gjyqtarë nga gjykimi i kësaj çështje?
Në 27 mars të këtij viti gjyqtari Artan Lazaj i Gjykatës së Tiranës ka vendosur të njohë Anna Nordstrom si vajzën e biznesmenit Vehbi Veliaj, i cili ka ndërruar jetë pak vite më parë. Nordstrom, që pretendon se është vajza ilegale e biznesmenit të njohur Vehbi Veliaj, ka mundur të fitojë gjyqin për njohjen e atësisë dhe futjen si trashëgimtare në pjesën 1/2. Përgjatë 7 viteve këtë çështje e kanë shqyrtuan 45 gjyqtare të ndryshëm të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Pas shumë seancash gjyqësore, Nordstrom ka arritur të fitojë në shkallën e parë gjyqin kundër shtetasit Ferik Veliaj, i cili është djali i ligjshëm i biznesmenit Vehbi Veliaj.
Suedezja Anna Nordstrom pretendon se ka ardhur në jetë nga një lidhje jashtëmartesore e biznesmenit dhe prej tij i është njohur atësia. Pas vdekjes së Veliajt, në vitin 2011, Nordstrom depozitoi një padi në Gjykatën e Tiranës kundër djalit të biznesmenit Veliaj, Ferik Veliaj. Përmes kësaj padie, ajo kërkon të njihej si trashëgimtare e biznesmenit Vehbi Veliaj, si edhe të njihej si bashkëpronare në një të dytën e pasurisë së lënë trashëgim prej tij. Në atë kohë, pas shumë seancash gjyqësore, “Gjykata e gjeti kërkimin e padisë për detyrimin e të paditurit Ferik Velija që të njohë paditësen Anna Nordstrom si trashëgimtare ligjore të Vehbi Velisë të drejtë”-thuhet në vendim. Por ky i fundit i është drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë, ky gjyqtarja Elona Stavri, sipas kallëzimit penal, po e shtyn në mënyrë të qëllimshme dhe zvarit me vendime të ndërmjetme procesin gjyqësor. Pavarësisht kësaj, Nordstrom i është drejtuar tashmë me një ankim vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Apelit, me qëllim rrëzimin e tij.
Gjyqtarët e paditur
ILIR ÇELIKU
BLERINA MUÇA
ARBEN MULLAI
REZARTA VIGANI (BALLIU)
TEUTA HOXHA
KRESHNIK OMARI
AGIM BENDO
MANJOLA BEJLERI
ELBANA LLURI
ALAUDIN MALAJ
FATOS QATO
SHKËLQIM MIRI
ELONA TORO (STAVRI)
MARIE QIRJAZI
ARTAN BROCI