Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastasios Janullatos ka deklaruar se pasuesi i tij në krye të këtij institucioni fetar do të jetë një shqiptar. Kryepeshkopi Anastas e ka dhënë këtë deklarate gjatë një interviste për televizionin grek Sky. “Padyshim që pasuesi im do të jetë shqiptar. Ne nuk kemi vajtur atje për të ndërtuar një koloni, por për të ndërtuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.
I pyetur nga gazetari për raportet mes Tiranës e Athinës, kreu i Kishës Ortodokse Anastas Janullatos jep këtë mesazh: “Greqia mbetet gjithnjë fqinji. Fqinjët gjenden gjithmonë në momente të vështira. Njerëzit duan që këto marrëdhënie të jenë të përforcuara dhe të sinqerta. Të mos biem viktima të tensioneve por të ngremë ura”- theksoi kryepeshkopi.
Në lidhje me marrëdhënien e tij me Kryeministrin Rama kryepeshkopi theksoi se ka komunikim të vazhdueshëm me të. Për disa gjëra nuk është dakord, por i rëndësishëm sipas kryepeshkopit është dialogu. Në lidhje me Himarën dhe çështjen e pronave të minoritetit grek ai nënvijëzon se është një çështje e përgjithshme në në gjithë Shqipërinë, jo vetëm e Himarës. “Është një çështje e përgjithshme, jo vetëm në Himarë nuk janë kthyer pasuritë. Madje as neve për kishën nuk na janë kthyer shumë prona. Pavarësisht se kemi marrëveshje zyrtare me shtetin nuk janë dhënë ende, ka vonesa. Kthimi i pronave në Shqipëri është procedurë nëpër komisione e gjykata. Çështjet e pronësisë janë të ngatërruara. Himara nuk është një çështje më vete. Shteti ka të drejtë të bëjë ndërhyrje të caktuara, por duhet t’u jepet prona e pasuria atyre që u takon”, shtoi Janullatos.
Sa i takon lirisë fetare, Janullatos vlerëson Kushtetutën e Shqipërisë e cila sipas tij është ndoshta më e mira në botë, ndërsa ndalet edhe te shqetësimi i madh që ka për minoritetin grek në Shqipëri. “Problemi më i madh i grekëve në Shqipëri është që fshatrat janë boshatisur, pasi ata janë larguar. Çështja është se si ata që kanë lindur e janë rritur në këto fshatra të zhvillojnë jetën e tyre atje. Të ikin nga ato vende dhe të fillojnë të bërtasin që të tjerët na urrejnë është një zgjidhje e lehtë, por në fakt nuk është kjo e vërteta”- tha Janullatos.