Gjykata e Apelit te Krimet e Rënda ka shfuqizuar vendimin e datës 9 dhe 13 dhjetor për bllokimin e pasaportës së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në vendimin e mëparshëm, bllokimi i pasaportës u bë lidhur me hetimet për çështjen “Habilaj” dhe çështjen “Sota”.
Por pas këtij vendimi, avokati i Saimir Tahirit apeloi çështjen. Dhe nga vendimi i sotëm i Apelit, ish-ministrit Tahiri i është rikthyer pasaporta.
Sipas Gjykatës së Apelit te Krimet e Rënda, “Saimir Tahiri nuk rrezikon provat”. Pas këtij vendimi, ka reaguar edhe Maks Haxhia, avokati i Saimir Tahirit.
Para mediave ai tha se “nuk ka asnjë rrezik që Saimir Tahiri të prishë provat, apo që të largohet jashtë vendit”. Ai theksoi se në seancën e sotme, pala mbrojtëse paraqiti argumente të reja. Sipas këtij vendimi të Apelit, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mund të dalë jashtë vendit.