Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot për të diskutuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit për deputetin e PDIU Aqif Rakipi dhe atë të LSI, Gledion Rehovica.
KQZ ka rrëzuar kërkesën e avokatit të Aqif Rakipit, Theodhori Sollaku, i cili kërkoi të pezullohet kërkesa e prokurorisë. Avokati tha se kërkesa e Prokurorisë është në shkelje të ligjit, pasi sipas tij Aqif Rakipi nuk është dënuar nga asnjë vend i BE.
Ndërkohë edhe avokati i deputetit të LSI, Ardian Visha tha se nuk ka asnjë dënim ndaj deputetit Rehovica, ndaj s’mund t’i ndërpritet mandati pa prova.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, “deputeti i PDIU për qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi, dhe ai i LSI për Qarkun e Beratit, Gledion Rahovica, preken nga ligji i Dekriminalizimit. Dy deputetët nuk kishin deklaruar ndalimin nga policia në Itali”.
Deputeti i LSI-së, Gledjon Rehovica, sipas Prokurorisë, rezulton të jetë arrestuar në vitin 1999 në Itali për “vjedhje dyqani”. Ai mohoi akuzat e Prokurorisë duke thënë se ka qenë student në Romë gjatë kohës për të cilat flet akuza e Prokurorisë. Ndërkohë Deputeti Aqif Rakipi akuzohet për përdorim të materialeve të vjedhura” me identitetin, Skënder Ejybegaj.
Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që t’u ndërpresë mandatin dy deputetëve Gledion Rehovica nga LSI dhe Aqif Rakipit nga PDIU. KQZ miratoi kërkesën e prokurorisë në mbledhjen e dytë, e cila akuzon dy deputetët se janë raportuar për vjedhje në Itali dhe me identitete të rreme. Të dhënat e ardhura nga Italia, sipas prokurorisë nuk janë deklaruar nga deputetët në formularin e vetëdeklarimit.